Fjalime

Fjala e Ministres Gjermeni mbi Lancimin e Programit të Zhvillimit Rajonal për Shqipërinë.

big_sot_5Mirëmëngjes,

Falenderime

  • Sot së bashku me Ambasadën e Zvicrës organizojmë aktivitetin prezantues të “Programit të Zhvillimit Rajonal për Shqipërinë”, faza e tretë, me bashkëfinancues qeverinë Zvicerane dhe atë Austriake me Grantin në vlerë tre pikë dy milionë Euro.
  • Dua të përfitoj nga rasti t’i shpreh falenderimet e mia të dy miqve të mi dhe miqve të Shqipërisë Ambasadorit të Zvicrës z. Christoph Graf dhe Ambasadorit të Austrisë z. Johann Sattler, për mbështetjen e pakursyer që i kanë ofruar zhvillimit të qëndrueshëm të vendit me projekte konkrete. Gjithashtu dua t’i falënderoj përzemërsisht për kontributin e dhënë në rrugëtimin e Shqipërisë për tu bërë, në një të ardhme të afërt, vend anëtar i  Bashkimit Evropian.

 

Procesi

  • Ky program, marrëveshja për financimin e të cilit u nënshkrua në Zvicër më 29 mars të këtij viti, tashmë e miratuar edhe në Kuvendin e Shqipërisë, është në thelb një platformë pune me impakt të drejtpërdrejtë dhe të matshëm në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe teknike, përmirësimit të kuadrit ligjor për zhvillimin rajonal, dhe mbi të gjitha realizimit të projekteve konkrete ndërvendore.
  • Një mundësi më shumë, për zhvillimin social dhe ekonomik të qëndrueshëm të zonave ku do të jetësohen projektet konkrete, si dhe në forcimin e kapaciteteve teknike dhe institucionale të katër Agjencive të Zhvillimit të Rajoneve.

Reforma territoriale dhe rajonale

  • Reforma administrative territoriale, një histori suksesi e reformave të ndërmarra gjatë këtij çerek shekulli në vend, ka krijuar struktura vendore më efikase, si dhe ka ofruar një mekanizëm dinamik për fuqizimin e hapësirave ekonomike, sociale dhe kulturore, nëpërmjet bashkëpunimit ndërmjet njësive administrative kufitare, por edhe në kuadër të rritjes së konkurueshmërisë ndërmjet tyre.
  • Në zemër të këtij programi qëndron një vizion i qartë i rëndësisë që ka zhvillimi rajonal, si një proces efikas për një zhvillim të barabartë dhe të qëndrueshëm social ekonomik, në të gjithë territorin e vendit.
  • Menjëherë pas kostituimit të 61 bashkive të reja, në shtator të vitit 2015 u miratuan katër zonat e zhvillimit rajonal, duke i hapur rrugën krijimit të katër agjencive të zhvillimit rajonal me seli në Shkodër, Tiranë, Korçë dhe Vlorë.
  • Duke e konsideruar zhvillimin e vendit si një të tërë, ky riformatim i ri i ndarjes në katër rajone, është një mundësi më shumë për bashkitë apo zonat me tipare të përbashkëta zhvillimi, të rrisin dhe promovojnë avantazhet e tyre konkurruese, nëpërmjet bashkëpunimit dhe zbatimit të projekteve ndërvendore.
  • Kjo politikë e përbashkët investimesh i shërben forcimit të bashkëpunimit dhe punës në ekip ndërmjet qeverisë qëndrore dhe asaj vendore apo edhe njësive vendore me njëra – tjetrën.

Vizioni i këtij programi

Dhe do të jetë pikërisht ky vizion që do të jetësohet falë zbatimit të Programit të Zhvillimit Rajonal për Shqipërinë faza 3, ndërhyrjet e të cilit përqendrohen në:

  1. Kuadrin ligjor dhe hartimin apo përmirësimin e politikave kombëtare për zhvillimin rajonal;
  2. Rritjen e kapaciteteve teknike dhe institucionale të katër agjencive të zhvillimit rajonal, Ministrisë së Zhvillimit Urban si institucion lider për zbatimin e kësaj marrëveshje, por edhe si institucioni përgjegjës për hartimin e instrumenteve dhe dokumenteve kombëtare të planifikimit; si dhe
  3. Në ofrimin e granteve për zbatimin e projekteve konkrete ndërvendore për zhvillimin rajonal.

Çfarë kemi bërë në këtë mandat të parë

  • Sigurisht, që nismat e konkretizuara tashmë në produkte konkrete në fushën e planifikimit kombëtar dhe vendor, apo edhe të 400 projektet e financuara dhe zbatuara nga qeveria Shqiptare, në kuadër të Programit Kombëtar Rilindja Urbane në të 61 bashkitë e vendit, kanë lehtësuar dhe forcuar bashkëpunimin dhe konkurrencën ndërvendore.

Në harkun kohor të këtyre tetëmbëdhjetë muajve, Qeveria Shqiptare, nëpërmjet Fondit për Zhvillimin e Rajoneve, ka miratuar mbështetjen financiare të 3 projekteve të zbatimit  të hartuara nga agjencitë e zhvillimit rajonal, si më poshtë vijon:

  • Sistemimi me interes turistik dhe kulturor si: shtigjet,  udhët dhe itineraret turistike, ndërmjet bashkive Tiranë dhe Klos në zonën Pëllumbas – Shën Gjergj – Mali me gropa – Bizë – Gur i Bardhë – Lugina e Vashës me vlerë tetëmbëdhjetë milionë lekë;
  • Përmirësimi i transportit dhe infrastrukturës ndërlidhëse Qafështamë – Burrel, me qëllim promovimin e atraksioneve turistike të Parkut Kombëtar të Qafështamës, me vlerë financimi njëqind e tridhjetë e tre milionë lekë dhe
  • Rigjallërimi i vlerave historike, kulturore e turistike të Zonës së Zhvillimit Rajonal 3, Korçë – Elbasan me vlerë financimi njëqind e dyzet e tetë milionë lekë

Ndërkohë që në thirrjen e II – të për vitin 2017 të Fondit për Zhvillimin e Rajoneve të katër agjencitë rajonale kanë përfituar fonde për hartimin e 22 projekteve të reja, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës urbane,  ndërhyrjeve rigjeneruese në zonat me potenciale natyrore, kulturore dhe historike në funksion të  zhvillimit social-ekonomik të zonës dhe veçanërisht sektorit të turizmit.

  • Mbyllje

Dua të falënderoj Qeverinë Zvicerane, e cila krahas këtij Programi është gjithashtu duke na ofruar mbështetje teknike dhe financiare në procesin e hartimit të planeve vendore në 5 bashki Malësi e Madhe, Tropojë, Vau i Dejës, Mat dhe Klos.

Zbatimi i këtij programi është një mundësi më shumë në nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet bashkive dhe një instrument tjetër financiar për zbatimin e projekteve konkrete, duke i kthyer bashkitë në motorr që gjenerojnë më shumë mundësi punësimi, mirëqenie për qytetarët, rritje ekonomike të sipërmarrjeve ekzistuese dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Ju faleminderit!

Read More

Fjala e Ministres Gjermeni në Seancën Plenare për miratimin e projektligjit “Bashkëpunim ndërmjet Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban”.

big_ratifikimiI nderuar drejtues i seancës,

Të nderuar deputetë,

Ministria e Zhvillimit Urban paraqet sot, për miratim, projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunimin teknik, ndërmjet Këshillit  të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, për programin e zhvillimit rajonal për Shqipërinë”.

Lejomëni të sjell në vëmendjen tuaj se, ky projektligj është në thelb një platformë pune me impakt të drejtpërdrejtë dhe të matshëm në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe teknike, përmirësimit të kuadrit ligjor për zhvillimin rajonal dhe mbi të gjitha realizimit të projekteve konkrete ndërvendore, në kuadër të zbatimit të “Programit të Zhvillimit Rajonal për Shqipërinë”, faza e tretë. Ky program bashkëfinancohet nga Qeveria Zvicerane dhe ajo Austriake me grantin në vlerë 3.2 milionë euro.

Marrëveshja që ne sjellim sot, për miratim, nënshkruar në Zvicër më 29 mars të këtij viti, ofron dhe krijon një mundësi më shumë për zhvillimin social dhe ekonomik të qëndrueshëm të zonave ku do të jetësohen projektet konkrete, si dhe në forcimin e kapaciteteve teknike dhe institucionale të katër Agjencive të Zhvillimit të Rajoneve.

Ky program është bashkërenduar me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim të Shqipërisë 2015-2020, e cila përcakton objektivat strategjikë dhe zhvillimin rajonal, si dhe është në linjë me projektligjin e zhvillimit të rajoneve dhe me strategjinë e decentralizmit në vend.

Biem të gjithë dakord se, reforma administrative-territoriale ka krijuar struktura vendore më efikase, duke shmangur fragmentarizimin e fondeve apo investimeve publike, rritur shfrytëzimin e potencialeve ekonomike për territore tashmë më të mëdha, si dhe në ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët.

Gjithashtu, ka ofruar një mekanizëm dinamik për fuqizimin e hapësirave ekonomike, sociale dhe kulturore përmes  bashkëpunimit ndërmjet njësive administrative kufitare, por edhe në kuadër të rritjes së konkurueshmërisë ndërmjet tyre.

Në fillim të vitit të shkuar, Qeveria ndërmori nismën për krijimin e katër agjencive të zhvillimit të rajoneve.  Të katër këto institucione kanë si objektiv të punës së tyre inkurajimin e zhvillimit të modeleve të qëndrueshme të bashkëpunimit dhe partneritetit, reduktimin e diferencave social-ekonomike midis rajoneve, si dhe promovimin e ekonomive lokale, rajonale e ndër-rajonale nëpërmjet zbatimit të projekteve konkrete. Në harkun kohor të këtyre  dymbëdhjetë muajve, këto agjenci kanë përfituar nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve, katër projekte.

Kjo politikë e përbashkët investimesh do të kontribuojë në krijimin e një mjedisi të shëndetshëm social, ekonomik dhe mjedisor, si dhe në ruajtjen dhe promovimin e potencialeve natyrore dhe kulturore për të gjitha rajonet.

Sigurisht që, kjo qasje e re do të kërkojë kohë dhe përkushtim për të formësuar, së pari, kulturën e bashkëpunimit dhe punës në ekip ndërmjet qeverisë qendrore dhe asaj vendore apo edhe njësive vendore me njëra – tjetrën.

Dhe do të jetë pikërisht ky vizion që do të jetësohet falë zbatimit të Programit të Zhvillimit Rajonal për Shqipërinë, ndërhyrjet e të cilit përqëndrohen në:

  • Kuadrin ligjor dhe hartimin apo përmirësimin e politikave kombëtare për zhvillimin rajonal;
  • Rritjen e Kapaciteteve teknike dhe institucionale të katër agjencive të zhvillimit rajonal, Ministrisë së Zhvillimit Urban si institucion lider për zbatimin e kësaj marrëveshje, por dhe si institucioni përgjegjës për hartimin e instrumenteve dhe dokumenteve kombëtare të planifikimit; si dhe
  • Në ofrimin e granteve për zbatimin e projekteve konkrete ndërvendore për zhvillimin rajonal.

 

Është vullneti i kësaj Qeverie dhe programit ambicioz të Partisë Socialiste, për ta parë zhvillimin e territorit, rritjen ekonomike dhe kohezionin social të vendit, si një të tërë dhe aspak si një zhvillim të copëtuar ndërmjet bashkive apo rajoneve.  Prej tre vitesh, ne jemi duke zbatuar Programin Kombëtar për Rilindjen Urbane, që në thelb është Programi që i jep shpresë dhe mirëqënie çdo qytetari, pavarësisht se në cilën bashki banon, programi që nisi zbatimin nga qendrat e qyteteve, pikërisht atje nga i ka rrënjët qytetërimi. Janë 400 projekte të Rilindjes Urbane, të zbatuara në këto tre vite në të 61 bashkitë e vendit, që kanë krijuar një model të ri të bashkëveprimit ndërmjet pushtetit vendor dhe qendror për tërheqjen e fondeve. Por jo vetëm kaq! Falë projekteve të zbatuara që nisin nga rehabilitimi i qendrave të qyteteve, rehabilitimi i shesheve, parqeve, infrastrukturës urbane, e duke u shtrirë më pas edhe në lagjet apo zonat e banuara, ne i kemi dhënë qytetarëve mundësinë për të jetuar në habitate më mikëpritëse, i kemi rikthyer atyre hapësirat publike dhe i kemi ofruar një mundësi më shumë sipërmarrjeve që operojnë në të 61 bashkitë për të rritur të ardhurat dhe fuqizuar biznesin.

Të nderuar deputetë,

Zbatimi i Programit për Zhvillimin Rajonal për Shqipërinë do të jetë një mundësi më shumë në nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet bashkive dhe një instrument tjetër financiar për zbatimin e projekteve konkrete, duke i kthyer bashkitë nga entite administrative rixhide, në motorrë që gjenerojnë më shumë mundësi punësimi, rritje ekonomike të sipërmarrjeve ekzistuese dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe social.

Dua të falënderoj Qeverinë Zvicerane, e cila krahas këtij Programi është gjithashtu duke na ofruar mbështetje teknike dhe financiare në procesin e hartimit të planeve vendore në 5 bashki: Malësi e Madhe, Tropojë, Vau i Dejës, Mat dhe Klos.

Dhe në mbyllje të fjalës sime, dëshiroj të falënderoj për bashkëpunimin, në mënyrë të veçantë Kryetaren dhe të gjithë anëtarët e Komisionit për Politikën e Jashtme, Kryetaren dhe të gjithë anëtarët e Komisionit të Ligjeve si dhe Kryetarin dhe të gjithë anëtarët e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit.

Prandaj, ju ftoj ta votoni bashkarisht!

Ndwrkohw nw fund tw fjalws time doja tw ndalesha edhe nw njw tjetwr projektligj qw ne miratojmw sot për Miratimin e Marrëveshjes me shkëmbim notash mbi bashkëpunimin teknik midis Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, për zbatimin e Projektit “Zhvillimi i Qëndrueshëm i Integruar i Rajonit Bregdetar”, në formë granti me vlerë 1 (një) milion euro.

Qëllimi i projektit është krijimi i një qasjeje të re të integruar për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës bregdetare, duke mbështetur rajonin dhe bregdetin jugor të Shqipërisë. Nëpërmjet këtij projekti synohet të identifikohen prioritetet për zhvillimin ekonomik të zonës bregdetare, sidomos pjesës rurale, duke marrë në konsideratë objektivat e zhvillimit urban dhe rural të këtij rajoni, bashkë me objektivat për zhvillimin e turizmit, si dhe menaxhimit të qëndrueshëm të biodiversitetit.

Ky projekt, si partnerë kryesorë nga pala shqiptare ka Ministrinë e Zhvillimit Urban, i cili është institucioni drejtues, si dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, së bashku me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe Agjencinë Kombëtare të Turizmit. Përfitues të këtij projekti janë bashkitë e Qarkut të Vlorës si dhe Agjencia e Zhvillimit Rajonal 3.

Dëshiroj t’ju informoj se, Qeveria Federale e Gjermanisë, nëpërmjet bashkëpunimit teknik shqiptaro-gjerman (GIZ) dhe projektit në fjalë për periudhën 2015-2017, na ka ndihmuar, duke ofruar asistencë teknike dhe financiare në kuadër të procesit të planifikimit në nivel kombëtar, kryesisht lidhur me procesin e punës për Planin e Përgjithshëm Kombëtar dhe Planin e Integruar Ndërsektorial për Bregdetin, dy instrumente shumë të rëndësishëm në nivel kombëtar, të cilët tashmë janë në fuqi, pas miratimit në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Këshillin e Ministrave.

Nëpërmjet këtij projekti, është mundësuar ofrimi i ekspertizës së huaj që ka asistuar punën e stafit të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, për të hartuar, sipas standarteve europiane, këto dy dokumente, të cilat shërbejnë si platforma udhërrëfyese për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe turistik të rajonit dhe bregdetit jugor.

Ju faleminderit!

Read More

Fjala e Ministres Gjermeni mbi prezantimin e botimit në shqip të axhendës së re urbane.

big_fjalim_ubJu uroj mirëseardhjen në këtë Mëngjes Pune të bashkëorganizuar me UN Habitat 3.

Ndihem vërtetë e privilegjuar që sot së bashku me Z. Kumaresh Misra, Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm i Habitat 3,  do të lançojmë Agjendën e Re Urbane, botimin në Shqip. Kjo Agjendë e miratuar në tetor të vitit 2016 në Quito, Ecuador, është platforma që përcakton parimet dhe angazhimet për një zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të qyteteve tona.  Dokumenti mbart qëndrimet e angazhimet e të gjitha shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, produkt i një sërë eventesh që konkludojnë në takime të mëdha,  si ai i Stambollit apo ky i Quitos, (njëherë në 20 vite), duke vlerësuar progresin e arritur edhe duke përcaktuar vizionin e zhvillimit për vitet në vazhdim.

Agjenda e Re Urbane është një dokument orientues për shtetet anëtare në hartimin e politikave kombëtare gjithëpërfshirëse për zhvillim të qëndrueshëm, që ju përgjigjen nevojave të qytetarëve për zhvillim të balancuar social dhe ekonomik,  përmirësimin e funksionalitetit të qyteteve si hapësira të shfrytëzueshme dhe miqësore për të gjithë grupëmoshat.

Më vjen mirë të them se qeveria shqiptare në këto katër vite ka ndërmarrë një mori reformash, të cilat garantojnë një zhvillim të qëndrueshëm të territorit që i paraprin një zhvillimi ekonomik e social. Reformat e ndërmarra përputhen me parimet dhe standardet e mishëruara në Axhendën e Re Urbane dhe Objektivin 11 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për një Zhvillim të Qëndrueshëm, si edhe për t’i kthyer qytetet tona në hapësira gjithëpërfshirëse, të sigurta dhe me një zhvillim ekonomik dhe social të qëndrueshëm.

Dua të theksoj që në fillim të fjalës time, se në këto katër vite kemi ndërtuar një frymë komunikimi dhe bashkëveprimi ndërmjet institucioneve qendrore dhe vendore, shoqërisë civile, botës akademike, sipërmarrjes dhe donatorëve. I kemi bërë qytetarët pjesë të proceseve në fushën e planifikimit apo të strehimit, duke ndërtuar një model transparent dhe gjithëpërfshirës të hartimit të ligjeve apo te planeve, strategjive apo politikave. Zhvillimin urban nuk e kemi parë asnjëherë si një proces më vete dhe të izoluar nga zhvillimi social dhe ekonomik, por një platformë të gjallë ku çdo vendimmarrje e pamenduar apo çdo veprim i paligjshëm mund të rezultojë në cenim të aseteve të përbashkëta  si: toka, hapësirat e përbashkëta, mjedisi, apo potencialet tona natyrore dhe kulturore

Reforma administrative territoriale është një nga reformat historike të realizuara nga kjo qeveri. Kjo reformë jo vetëm  riformatoi ndarjen administrative të njësive të qeverisjes vendore duke reduktuar numrin nga 375 në 61 bashki, por dhe do i delegoi bashkive të reja më shumë funksione administrative dhe përgjegjësi, për t’ju përgjigjur në mënyrë me efikase qytetarëve dhe nevojave të tyre.

Si Ministre e Zhvillimit Urban, më vjen mirë të deklaroj se Shqipëria sot ka tre plane kombëtare të cilat më së miri përcaktojnë piketat për një zhvillim të qëndrueshëm, investime afatgjata dhe të sigurta, si dhe i ofrojnë qytetarëve një kornizë të qartë të zhvillimit që do të marrë vendi në 15 vitet e ardhshme në të gjithë sektorët e tij të ekonomisë. Vizioni Shqipëria 2030 i mishëruar në Planin e Përgjithshëm Kombëtar dhe dy planet sektoriale Planin Ndërsektorial të Bregdetit dhe Planin Ndërsektorial të zonës ekonomike Tiranë – Durrës, përfaqëson një përqasje te re të planifikimit dhe zhvillimit të territorit . Të treja këto plane kombëtare, të miratuara në mes të vitit të kaluar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, synojnë t’i japin fund epokës së informalitetit në zhvillimin e tokës,  hapësirave urbane e rurale dhe të krijojnë një mjedis institucional, ekonomik e social për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit.

Krahas punës në hartimin e instrumentave të planifikimit në nivel kombëtar kemi punuar fort edhe në hartimin e planeve vendore duke i ofruar bashkive të reja asistencë financiare dhe teknike. Në vitin 2016, u angazhuam për të mbështetur financiarisht 26 bashki në hartimin e planeve të tyre vendore. Ky angazhim, po vazhdon edhe në vitin 2017, duke mbështetur edhe 7 bashki të tjera për hartimin e planeve të tyre vendore. Ndëkohë që falë mbështetjes së ofruar nga USAID  5 bashki  kanë tashmë të hartuara dhe miratuara planet e tyre vendore. Ndërsa 5 bashki po mbështeten aktualisht nga qeveria Zvicerane. Në fund te këtij viti,  43 nga 61 bashki do të kenë të hartuara planet e tyre të përgjithshme vendore.

Ky rezultat në fakt, brenda një mandati qeverisës është një arritje shumë pozitive, që i ndihmon bashkitë të punojnë me një qasje tërësisht të re e të rregulluar për administrimin dhe zhvillimin e territorit, të nxisin investimet dhe të ofrojnë më shumë mundësi punësimi për qytetarët.

Sfida jonë e madhe mbetet zbatimi i planeve kombëtare edhe vendore, si edhe monitorimi i zbatimit të tyre. Në këtë proces, sërish të gjithë aktorët do të jene të përfshirë, siç kanë qenë pjesë edhe të hartimit të tyre.

Gjatë takimeve me qytetarë na ka ndodhur shpesh që të na pyesin se Çfarë janë në fakt planet, edhe si ndikojnë planet të jetën e qytetarëve, etj. Jemi të ndërgjegjshëm që planifikimi shpesh perceptohet si proces teknik. Pikërisht për t’i sjellë planet në një format më të kuptueshëm për qytetarët, por edhe grupe të ndryshme interesi si edhe për t’i bërë këta të fundit pjesë të procesit organizuam ekspozitën “Ditar i një Hapësire”. Kjo ekspozitë, ishte  ishte një vështrim mbi planifikimin shtrirë në tre mijëvjeçarë; një udhëtim në kohë, në hapësirën e quajtur Shqipëri. Një hapësirë e cila në këto dy dekadat e fundit për shkak të mungesës së instrumentave planifikues, vullnetit politik për zbatimin e ligjit ishte kthyer në një kaos urban ku numëroheshin reth katërqindmijë ndërtime informale. Për këtë arsye ne i dhamë një rëndësi prioritare legalizimit të ndërtimeve informale kryesisht në zonat informale. Pasi i gjithë ky kapital i derdhur në territor duhet të kthehet në aset për qytetarët dhe zhvillimin ekonomik dhe social afatgjatë. Jemi në hapat përfundimtarë të mbylljes së procesit të legalizimeve në zonat masive informale. Të gjitha objektet e legalizuara janë tashmë pjesë të tregut të pasurive të paluajtshme, duke u kthyer në asete kapitale për qytetarët që më në fund morën titullin e pronësisë mbi banesën e ndërtuar me sakrificë. Paralelisht me procesin e legalizimit kemi nisur edhe me urbanizimin e disa zonave informale. Kemi mundur të zbatojmë disa investime konkrete duke pilotuar fillimisht zona informale ku ka dhe një përqendrim të lartë të banorëve. Duke e konsideruar urbanizimin si motor të rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, rritja e investimeve me projekte konkrete në zona informale është një nga shtyllat kryesore të programit tonë qeverisës për katërvjeçarin tjetër. Vetëm nëpërmjet investimeve konkrete në këto zona ne do të mund të sigurojmë për qytetarët tanë dhe brezin e ri qytete të sigurta, të shëndetshme dhe të qëndrueshme, si një e mirë e përbashkët që në thelb i shërben rritjes së cilësisë së jetës për të gjithë.

Strehimi është një e drejtë themelore që kërkon vëmendje edhe angazhim nga pushteti qendror edhe vendor. Përmes realizimit të kësaj të drejte, garantohet integrim dhe kohezion social.  Hartimin e politikave kombëtare dhe vendore për ofrimin e një strehimi të denjë, të përshtatshëm dhe të përballueshëm për të gjithë, e kemi konsideruar si baza mbi të cilën ndërtohet një shoqëri që lufton pabarazinë, varfërinë dhe vendos qytetarët në qendër të saj.

Falë një bashkëpunimi shumë të mirë që ne kemi pasur me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, kemi mundur të ridimensionojmë dhe zhvillojmë më tej politikat kombëtare të strehimit. Sot, ne kemi një platformë pune të mishëruar në Strategjinë 10 vjeçare për strehimin social dhe planin e saj të veprimit. Kemi rishikuar kuadrin ligjor duke hartuar një ligj të ri për Strehimin Social që do t’i përgjigjet  më mirë nevojave të qytetarëve për strehim. Me ligjin e ri kemi krijuar 6 programe strehimi duke shtuar kështu jo vetëm instrumentet financiarë, por dhe kategoritë e qytetarëve përfitues, kemi përfshirë në mënyrë eksplicite ndalimin e dëbimit, si dhe kemi lehtësuar zhvendosjen duke u siguruar qytetarëve një strehim alternativ të përshtatshëm.

Nisur nga nevojat e kategorive në nevojë për strehim gjatë këtij mandati kemi hartuar dhe financuar Programin për Rikonstruksionin e banesave të komunitetit Rom dhe Egjiptian, Programin e Banesave me Kosto të Ulët, Programin për rehabilitimin e banesave në bashkëpronësi me elementë të efiçencës së energjisë, kemi ofruar bonus strehimi, kredi të lehtësuara dhe grant të menjëhershëm.

Një nga programet më vizionare të realizuar në këto katër vite është Programi Kombëtar Rilindja Urbane. Duke i parë qytetet si realitete dinamike të jetës sociale dhe ekonomike të  komuniteteve, ky program e nisi zbatimin e tij  në qendrat e qyteteve, pikërisht andej nga i ka rrënjët zhvillimi i çdo qytetërimi.  U vazhdua me projekte konkrete të rehabilitimit të shesheve, parqeve, infrastrukturës urbane, duke u shtrirë më pas edhe në lagjet apo zonat e banuara brenda territorit të 61 bashkive të reja.

Kemi financuar plot 400 projekte në çdo qytet të Shqipërisë nga veriu në jug, projekte të  hartuara nga bashkitë e reja. Kemi vënë re, që çdo vit është rritur cilësia e projekteve, jo vetëm nga ana arkitekturore, por edhe nga ana e impaktit të zhvillimit ekonomik e social që kanë marrë sot qytetet tona. Këto projekte, i kanë ndryshuar fizionominë qyteteve, por edhe vetë bashkive, duke pasur impakt në zhvillimin e sipërmarrjes së vogël, rritjen e vlerës së pronës,  krijimit të hapësirave publike për qytetarët e të gjitha moshave.

Dua të theksoj se e gjithë puna e Ministrisë së Zhvillimit Urban, si një ministri e re, e krijuar në vitin 2013, është ngritur mbi bazën e një përqasjeje të re që synon trajtimin e territorit si një aset i vyer, të cilin duhet ta trajtojmë me përkujdesje jo vetëm për ne që jetojmë sot, por edhe për t’ua lënë trashëgim fëmijëve tanë.

Në punën 4 vjeçare të kësaj ministrie, Axhenda e Re Urbane, konisderohet  një dokument jo vetëm i vlefshëm për të ardhmen e qyteteve tona, por edhe guida e duhur për të ecur me hapat e vendeve më të zhvilluara.

Sfidat, që na presin për të adresuar çështjet e sipërcituara dhe pse jo dhe për ti dhënë zgjidhje, qoftë nëpërmjet hartimit të politikave kombëtare dhe lokale apo nëpërmjet krijimit të programeve buxhetore që financojnë projekte konkrete në fushën e zhvillimit urban, planifikimit, mjedisit, mbështetjes sociale, janë të mëdha. Sfida që kërkojnë angazhimin dhe koordinimin e qeverisë qendrore, asaj vendore, shoqërisë civile, botës akademike, sipërmarrjes dhe donatorëve për të krijuar kështu sinergji dhe bashkëveprim në luftën e përbashkët kundër pabarazisë, degradimit mjedisor dhe përjashtimit social dhe ekonomik.

Shqipëria si një vend anëtar i Kombeve të Bashkuara, angazhohet në hartimin e një Plani të detajuar veprimi për zbatimin dhe monitorimin e angazhimeve që  rrjedhin nga Axhenda e Re Urbane.

Ne do të kërkonim mbështetjen tuaj i nderuar zv. Sekretar i Përgjithshëm i Habitat 3 në ofrimin e asistencës teknike gjatë këtij procesi, si dhe në kuadër të harmonizimit të politikave tona kombëtare me angazhimet e Axhendës së Re Urbane.

 

Ju faleminderit,

Read More

Fjala e Ministres Gjermeni në Seancën Plenare për ndryshimet në “Ligjin për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”.

big_w4I nderuar Drejtues i Seancës,

Të nderuar Deputetë,

Ministria e Zhvillimit Urban paraqet sot, për miratim, ndryshimet në Ligjin për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit.

Ky është një nga ligjet më të rëndësishëm për mirëmenaxhimin e territorit, rishikimi i të cilit vjen si një domosdoshmëri për t’i dhënë zgjidhje problematikave që ne hasim nga praktika e përditshme.

Puna për rishikimin e këtij ligji nisi si rezultat i sugjerimeve dhe kërkesave të paraqitura nga bashkitë dhe Shoqata për Autonominë Vendore.

Dua të theksoj se, në fushën e planifikimit dhe zhvillimit të territorit është bërë një punë e madhe që, ka nisur me forcimin e mekanizmave kontrollues, hartimin dhe miratimin e instrumenteve planifikues në nivel kombëtar dhe vendor, në thjeshtimin e procedurave të dhënies së lejeve të ndërtimit, si dhe funksionimit të strukturave përgjegjëse të planifikimit dhe zhvillimit të territorit.

Ndryshimet e propozuara në këtë ligj kanë për qëllim:

Ndarjen e bazës së të dhënave të planifikimit të territorit nga baza të dhënave e lejeve të ndërtimit:

Në ligjin në fuqi, Regjistri i Integruar i Territorit është në funksion të proceseve planifikuese dhe proceseve të zhvillimit (ose lejedhënies) dhe përmban të dhëna si për planet e miratuara ashtu edhe për lejet e ndërtimit të lëshuara nga bashkitë. Prej një viti tashmë, po punohet për përditësimin e Regjistrit të Integruar të Territorit dhe transformimin e tij në dy platforma të veçanta, njëra në shërbim të procesit të planifikimit të territorit dhe tjetra në funksion të aplikimeve dhe pajisjes me leje ndërtimi. Në kushtet kur sistemi elektronik e-lejet dhe platforma e planifikimit të territorit funksionojnë të pavarura, propozohet që secila databazë të ketë rregullimin e saj ligjor të veçantë. Ky ndryshim, nga njëra anë lehtëson dhe qartëson procedurën e miratimit të dokumenteve të planifikimit dhe nga ana tjetër lehtëson procedurat për leje zhvillimi apo ndërtimi për investitorët dhe qytetarët.

Së dyti, saktësimin e ndarjes së kompetencave të organeve të pushtetit vendor sa i përket miratimit të dokumenteve të planifikimit vendor:

Në konceptin aktual të ligjit, Plani i Detajuar Vendor (PDV) është një dokument planifikimi, që miratohet nga Kryetari i Bashkisë dhe nxirret në zbatim të përcaktimeve të Planit të Përgjithshëm Vendor, për një zonë të caktuar të territorit, me kufij të përcaktuar në PPV.  Pra, është Plani i Përgjithshëm Vendor ai që përcakton kushtet zhvillimore për zonën dhe ky plan miratohet nga Këshilli Bashkiak, si në momentin e nismës ashtu edhe në momentin e miratimit të dokumentit final të PPV-së.

Në mënyrën se si zbatohen konkretisht këto dispozita, Këshilli Bashkiak aprovon  ndërmarrjen e nismës për hartimin e një PDV-je, si dhe jep konformitet pas miratimit të saj nga kryetari. Kjo mënyrë të vepruari dyfishon afatet dhe procedurat e miratimit të PDV-së, që si rezultat kthehet nga një instrument zbatues i planit, në një shkak për bllokimin e zbatimit të tij.

Shoqata e Bashkive, si përfaqësuese e bashkive që janë anëtare të saj, ka sjellë në vëmendjen e Ministrisë vështirësitë që hasin bashkitë në tejzgjatjen e panevojshme, të afateve të miratimit të Planeve të Detajuara Vendore (PDV) të territorit. Kjo procedurë vonon përgjigjen në kohë ndaj qytetarëve dhe frenon zhvillimin e qëndrueshëm të territorit bazuar në kërkesat për investime nga qytetarë dhe sipërmarrje private.

Nisur nga sa më lart, është propozuar rishikimi i dispozitave të ligjit, që disiplinojnë kompetencat e Këshillave Bashkiake, në kuadër të miratimit të Planeve të Detajuara Vendore (PDV), në mënyrë të tillë që:

(i) Nisma për hartimin e PDV-së të mos ketë nevojë për miratim në Këshillin Bashkiak: kjo pasi, nisma për hartimin e PDV-së mund të ndërmerret nga çdo zhvillues privat që plotëson kushtet sipas ligjit, si dhe nga bashkia, në mënyrë automatike, sipas interesit publik dhe prioriteteve të përcaktuara në Planin e Përgjithshëm Vendor.

(ii) Bashkia të mos ketë më detyrimin ligjor të paraqesë Planin e Detajuar Vendor, për miratim të dyfishtë tek Këshilli Bashkiak, duke qenë i mjaftueshëm miratimi nga Kryetari i Bashkisë.  Kjo është në pëputhje me nenin 13 të ligjit, që i njeh kryetarit të bashkisë autoritetin e miratimit të PDV-së.

Sa i përket rolit monitorues, Këshilli Bashkiak do të vazhdojë të ketë rol monitorues të ecurisë së hartimit të PDV, sikurse e ka kryer deri më sot këtë funksion, duke kërkuar PDV-të dhe dokumentacionin shoqërues nga Drejtoria Perkatese, pa nevojën duplikimit të procedurave të miratimit / konformitetit te PDV-ve.

Në kontekstin e planifikimit dhe zhvillimit të territorit më lejoni t’ju informoj se për herë të parë përgjatë vitit 2016 ofruam mbështetje financiare dhe teknike për 26 bashki Cërrik, Dibër, Divjakë, Durrës, Gjirokastër, Himarë, Kavajë, Konispol, Korçë, Krujë, Kurbin, Kukës, Lezhë, Librazhd, Përrenjas, Pogradec, Poliçan, Rrogozhinë, Sarandë, Shijak, Shkodër, Skrapar, Tiranë, Ura Vajgurore, Vlorë dhe Vorë për hartimin e planeve vendore.

Deri më tani janë miratuar në Këshillin Kombëtar të Territorit planet vendore për 11 bashki.

Ndërkohë brenda këtij muaji kalojnë për miratim në Këshillin Kombëtar të Territorit planet vendore për bashkitë Tiranë dhe Përrenjas. Në lidhje me 13 bashkitë e tjera: Lezhë, Pogradec, Dibër, Shkodër, Shijak, Vorë, Durrës, Rrogozhinë, Kavajë, Vlorë, Himarë, Sarandë dhe Konispol pritet që të miratojnë planet e tyre vendore në Këshillin Bashkiak brenda muajit mars dhe brenda prillit të përfundojë edhe miratimi i tyre në KKT.

Me mbështetjen e donatorëve përgjatë vitit 2016 e kemi mundësuar këtë proces edhe në 10 bashki të tjera të vendit përkatësisht:

Me mbështetjen e USAID nëpërmjet Programit Për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore bashkitë Elbasan, Lushnjë, Fier, Kuçovë dhe Berat, jo vetëm hartuan planet e tyre vendore por dhe ishin 5 bashkitë e para që i miratuan në Këshillin Kombëtar të Territorit në dhjetor të vitit 2016.

Ndërsa në bashkitë Tropojë, Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Mat dhe Klos procesi i hartimit të planeve të përgjithshme vendore po bëhet i mundur falë mbështetjes së Programit, të Qeverisë Zvicerane, për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal.

Për vitin 2017, me buxhetin e Ministrisë së Zhvillimit Urban, do të asistohen edhe bashkitë Përmet, Belsh, Këlcyrë, Pukë, Mirditë, Gramsh dhe Kolonjë. Kështu, në fund të këtij viti 43 nga 61 bashkitë në vend do të kenë të hartuara dhe të miratuara Planet e Përgjithshme Vendore.

Gjithashtu, Ministria e Zhvillimit Urban ka përgatitur një Udhëzim për mënyrën dhe procedurat e zbatimit të Planeve të Përgjithshme Vendore që po miratohen, për çështje që kërkojnë bashkërendim me institucionet qendrore. Udhëzimi fokusohet, në mënyrë të veçantë, në trajtimin e procedurave që lidhen me zhvillimet urbane të parashikuara nga planet në tokë bujqësore dhe zonat e rëndësisë kombëtare. Ky udhëzim do të lehtësojë punën e bashkive dhe do të forcojë bashkërendimin institucional në nivel qendror dhe vendor për zbatimin e planeve të miratuara, duke bërë sa më të ndjeshëm impaktin e planifikimit hapësinor në jetën e përditshme të qytetarëve.

Ndryshimi tjetër në ligjin e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit është mundësia e rishikimit të Planit të Përgjithshëm Kombëtar, për ta përshtatur me ndryshimet e legjislacionit në fuqi.

Nisur nga vetë platforma e Planit të Përgjithshëm Kombëtar si përçues i një vizion strategjik afatgjatë, i hartuar për një periudhë 15-vjeçare mbështetur në një bazë të gjerë dokumentesh strategjikë dhe kuadri ligjor propozojmë mundësinë e rishikimit të tij në vazhdimësi. Ndaj dhe mundësia për të rishikuar Planin e Përgjithshëm Kombëtar çdo pesë vjet synon përditësimin në vazhdimësi të këtij dokumenti strategjik me qëllim reflektimin në të, të ndryshimeve që mund të ndodhin në kontekstin ekonomik dhe social të vendit, por dhe në harmonizimin e tij me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim.

Në këtë mënyrë brenda një mandati me vullnetin e kësaj qeverie për të garantuar një zhvillim të integruar të territorit të vendit dhe siguruar qëndrueshmëri të investimeve dhe rritjes ekonomike kemi miratuar 3 plane kombëtare që janë: Plani i Përgjithshëm Kombëtar, Plani i Integruar Ndërsektorial për Bregdetin dhe Plani i Integruar Ndërsektorial për zonën ekonomike Tiranë – Durrës.

Në këtë mënyrë, ne i kemi  hapur rrugën investimeve të qëndrueshme ku përfituesit kryesor janë vetëm qytetarët.

Të nderuar deputetë,

Ne sot jemi përballë një situate ku çdo ndërtim duhet të jetë i menduar mirë dhe në përputhje me planet kombëtare dhe vendore, instrumente të rëndësishme që garantojnë dhe përcaktojnë zhvillimin ekonomik, social dhe mjedisor të territorit në përgjithësi dhe qyteteve tona në veçanti.

Nisma e ndërmarrë për ngritjen e sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit erdhi si një hallkë plotësuese dhe e domosdoshme mbas nismave historike të ndërmarra në fushën e planifikimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të tokës.

Që prej shtatorit të vitit të shkuar aplikimi për leje ndërtimi tashmë bëhet vetëm nëpërmjet sistemit elektronik e- lejet pjesë e platformës e – Albania.

Raporti Doing Business 2017 i Bankës Botërore e cilësoi reformën e zbatuar në fushën e lejeve të ndërtimit, si një nga rezultatet më pozitive në kuadër të transparencës, përshpejtimit dhe thjeshtimit të procesit të leje dhënies.

Kjo reformë e realizuar falë punës dhe përkushtimit të kësaj qeverie e mbështetur me ekspertizën më të mirë ndërkombëtare mundësoi që vendi të përmirësonte renditjen në këtë indikator me 83 vende.

Që prej Shtatorit të vitit të kaluar e deri më sot numërohen 2230 aplikime, mes të cilave 565 leje të miratuara, 467 aplikime të refuzuara, dhe pjesa tjetër janë në fazë shqyrtimi nga bashkitë.

Për të vijuar në rrugën e përmirësimit dhe thjeshtimit të legjislacionit në fushën e ndërtimit, një tjetër element i rëndësishëm që ne propozojmë në këtë projektligj janë dhe ndryshimet në fushën e lejeve të ndërtimit nga të cilat do të veçoja:

  • saktësimin në ligj të taksës së ndikimit në infrastrukturë, e cila llogaritet sipas ligjit për sistemin e taksave vendore, por që nuk zbatohet për rikonstruksionin e godinave. Ajo çfarë ne kemi vënë re është se në ligjin për sistemin e taksave vendore parashikohet vetëm një mënyrë e llogaritjes së taksës së ndikimit në infrastrukturë, e cila për më tepër është e ndryshme nga mënyra e llogaritjes së po të njëjtës taksë në ligjin aktual. Për të eliminuar këtë mospërputhje kemi propozuar rakordimin mes të dy ligjeve.
  • heqjen e detyrimit të pajisjes me certifikatë përdorimi për punimet e kryera me deklaratë paraprake punimesh; bëhet fjalë për punime të brendshme shtëpie, me ndikim të ulët, që nuk nevojitet të pajisen  me certifikatë përdorimi / leje shfrytëzimi.
  • përshtatjen e terminologjisë së përdorur në këtë ligj me atë të parashikuar nga legjislacioni për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit.
  • Dhe së fundmi përcaktimin e detyrimit ligjor që aplikimi për leje ndërtimi të kryhet vetëm përmes sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit.

Në fund të fjalës time me lejoni t’iu siguroj se ndryshimet e propozuara në Ligjin për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit vetëm qartësojnë dhe thjeshtojnë procedurat për qytetarët dhe investitorët.

Në mbyllje, dëshiroj të falënderoj në mënyrë të veçantë Kryetarin dhe të gjithë anëtarët e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit;

Kryetarin dhe të gjithë anëtarët e Komisionit të Ligjeve, të cilët me kontributin e tyre plotësuan dhe përmirësuan cilësisht këtë projekt-ligj.

Prandaj, ju ftoj ta votoni bashkërisht!

 

Ju faleminderit,

Read More

Gjermeni: Rilindja Urbane edhe në qytetet e harruara prej kohësh.

big_ministrja_ne_kryeministriI nderuar Kryeministër,

Të nderuar kolegë,

Të nderuar kryetarë bashkish,

Faleminderit që jeni sot këtu.

Doja ta filloja takimin me një falënderim për bashkëpunimin në këto vite në projektin e Rilindjes Urbane, sidomos për ndihmën që Fondi i Zhvillimit të Rajoneve ka dhënë për zhvillimin e qyteteve tona. Më vjen shumë mirë të them që, nga puna që kemi bërë në këto tre vite bashkë, kemi parë që çdo vit është rritur cilësia e projekteve, jo vetëm nga ana arkitekturore, por edhe nga ana e impaktit të zhvillimit ekonomik e social të bashkive që ju drejtoni.

E gjithë kjo përvojë pune, e Rilindjes Urbane, në fakt na ka mësuar shumë.

Na ka mësuar që projektet mund të dizenjohen, mund të hartohen në mënyrë të tillë që të kenë një impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Projektet janë ato që ju i identifikoni si prioritare, në bashkëpunim me komunitetet tuaja. Projektet kanë impakt  më të madh në qoftë se, ato ndiqen nga ju personalisht dhe bëhen me cilësi, dhe brenda afateve.

Ne, duke e pasur edhe Sekretariatin Teknik, në Ministrinë e Zhvillimit Urban, e kemi ndjekur hap pas hapi, realizimin e projekteve, kështu që, unë, në këtë kontekst, doja të vlerësoja bashkëpunimin e të gjithëve ju.

Doja të theksoja që Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, i cili, nga viti në vit është rritur në buxhet, është një fond tërësisht i ristrukturuar dhe kështu kemi mundur që në vitin 2014 të zbatojmë 126 projekte, 108 projekte në vitin 2015 dhe vitin 2016 kemi financuar 100 projekte.

Pra në 3 vite, fondi është rritur në buxhetin e shtetit, është rritur si fond, por është rritur edhe numri impaktit të projekteve që kemi realizuar, duke i përfshirë të 61 bashkitë të vendit.

Them që të gjitha bashkitë, nga veriu në jug, kanë mundur të përfitojnë, projekte të Rilindjes Urbane, duke ndryshuar fizionominë e qyteteve e bashkive që ju drejtoni, duke pasur impakt në zhvillimin e biznesit, sipërmarrjes së vogël dhe mirëqenies së qytetarëve në këto bashki. Them që, jemi krenarë për faktin që kemi investuar në qytete apo në bashki që ishin harruar prej vitesh. Këtu mund të përmendja Skraparin, Tropojën, Pukën, Malësinë e Madhe, Kukësin, Burrelin, Kavajë, Krujën. Belshin, Gramshin, Librazhdin, Divjakën, Velipojën, Orikumin, Selenicën,  etj.

Dua të theksoj, tipologjinë e projekteve, të cilat ne i kemi mbështetur këto vite, duke iu përshtatur  nevojave dhe prioriteteve tuaja si bashki. Mund të them që, janë financuar 102 projekte për rivitalizimin e qendrave urbane, 29 projekte për rehabilitimin e hapësirave të gjelbra, kënde lojërash për fëmijë, objekte kulturore, publike, 171 projekte të infrastrukturës urbane, duke krijuar më shumë hapësira publike, për qytetarët, 13 projekte zhvillimore të infrastrukturës, turistike, në disa bashki, 5 projekte të përmirësimit të zonave të biznesit. 11 projekte për rehabilitimin e zonave rrotull kalave dhe zonave monumentale, 3 projekte pilot për urbanizimin e zonave informale.

Projektet, padyshim, kanë ruajtur identitetin e bashkive, e qyteteve, për të cilat janë realizuar projektet, duke i dhënë një impuls të ri zhvillimit të këtyre qyteteve.

Nga të dhënat që marrim, jo vetëm që qytetarët janë të kënaqur, por edhe numri i vizitorëve vendas apo të huaj, në qytetet tona është rritur, duke nxitur kështu edhe zhvillimin e biznesit lokal. E reja e vitit 2015, është që FZHR ka financuar edhe projekte rajonale, përmes agjencive rajonale të Zhvillimit, duke nxitur edhe një zhvillim edhe një bashkëpunim më të mirë, përmes bashkive një zhvillim rajonal të qëndrueshëm, zhvillim afatgjat, i cili vërtetë ju shërben më shumë sesa qytetarëve të një bashkie.

Them që, e kemi nisur punën duke nxitur dhe inkurajuar zhvillimin e qendrave të qytetit, por larmia e projekteve që kemi mbështetur dhe kemi realizuar së bashku me ju është e shumtë, këtu theksoj se nga qendrat e qyteteve, është kaluar në blloqe banimi, është kaluar në zona rurale,  në rrugët lidhëse, në tregje, duke nxitur edhe zvogëluar, në fakt diferencat mes zonave rurale dhe urbane, duke nxitur zhvillimin e tregut dhe sidomos të produkteve bujqësore, për t’i pasur më afër tregjet për qytetarët.

Të gjitha këto ndërhyrje ndikojnë drejtpërdrejtë, jo thjeshtë në një formë dhe mënyrë të re edukimi estetik, për qytetarët, por nga ana tjetër, nxisim shumë kohezionin social zhvillimin e qëndrueshëm në këto zona, duke i paraprirë më tej zhvillimit të tyre.

Të gjitha këto angazhime që kemi marrë dhe i kemi realizuar në këto tre vite, në kuadrin e Rilindjes Urbane, tashmë është momenti që t’i përcjellim dhe t’i vazhdojmë me ritmin e duhur. Unë gjej rastin edhe njëherë, të theksoj faktin që, të gjitha projektet, patjetër ndiqen nga stafet tuaja dhe nga ju personalisht, por do të kërkoja një angazhim maksimal, lidhur me afatet e zbatimit të të gjitha projekteve, sipas afateve që ju keni aplikuar pranë Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, duke respektuar afatet dhe duke respektuar dhe pasur një cilësi shumë të mirë në zbatimin e projekteve.

Për vitin 2017, FZHR-ja është pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe unë doja të theksoja dhe të tërhiqja vëmendjen që, këtë vit, i gjithë cikli i projekteve që do të realizohen nga ju, nga bashkitë që do të financohen për këtë vit, duhet bërë brenda vitit buxhetor. Pra, investimi që do të merret këtë vit, përmes FZHR, duhet padyshim të realizohet brenda vitit 2017. Kjo kërkon vëmendjen më të madhe tuajën për sa i përket procesit që nga momenti i prokurimit e deri në realizimin brenda afatit të përcaktuar, të të gjitha projekteve që do të mbështeten. Këtu, dua të theksoj edhe projektet që janë në vazhdimësi, nga viti i kaluar dhe të kërkoj angazhim maksimal tuajin për realizmin e tyre, një nxitje më të madhe për t’i realizuar me sukses dhe sidomos ato që janë, mbase për shkak të motit, mbase prej një periudhë jo intensive pune, të kërkoja angazhimin tuaj për t’i realizuar brenda afateve të përcaktuara.

Të gjitha bashkitë, pas reformës administrative territoriale, me territoret e reja, kanë nevojë që, Rilindja Urbane të zbresë ose të takojë edhe problematikat e zonave rurale. Ndaj, sot jemi mbledhur realisht për të promovuar këtë paketë, për sa i përket Rilindjes Urbane dhe në zonat rurale, duke theksuar nevojat që komunitetet tona kanë dhe duke kërkuar që, Rilindja Urbane të mbështesë projekte apo paketa për sa i përket bashkive që kërkojnë ndihmë në zhvillimin e bujqësisë dhe konkretisht në ujitje, në kanalet kulluese, duke ju ndihmuar me fonde  për realizimin e projekteve që ju i identifikoni si të tilla.

FALEMINDERIT!

Read More

Takimi me drejtoritë e ALUIZNI – Vlorë 20 janar 2017

big_aluizni_23_janar_foto_kryesorePërshëndetje,

Së pari dua t’ju uroj të gjithëve një vit të mbarë dhe të suksesshëm pune.

2016 ka qenë një vit që ka kërkuar angazhimin e gjithësejcilit për të realizuar evidentimin faktik në terren për mbi shtatëdhjetë mijë objekte dhe mbylljen e praktikave të legalizimit për pesëdhjetë e një mijë e treqind e pesëdhjetë e një (51,351) ndërtime pa leje.

Ne e nisëm këtë vit të ri pune me realizimin e një prej angazhimeve tona më madhore në Programin tonë qeverisës 2013 – 2017 atë të legalizimit në zonat masive informale.

Në dy vite e gjysëm ne ju mundësuam mbi 100 mijë familjeve në mbarë vendin të quhen pronarë të ligjshëm të banesave të tyre.

Shifra rekord e legalizimit të afro 90 mijë objekteve në vetëm 30 muaj është sukses i punës dhe përkushtimit tuaj dhe stafeve që ju drejtoni.

Për drejtoritë rajonale

Sipas komunikemeve dhe raportimeve të vazhdueshme nga Drejtoria e Përgjithshme e ALUIZNI rezulton se performancën më të mirë përgjatë vitit 2016 e kanë drejtoritë rajonale të:

Fierit me përfundimin e procesit të legalizimeve për mbi gjashtë mijë objekte,

Durrësit me përfundimin e procesit të legalizimeve për mbi dymbëdhjetë mijë objekte,

Tiranës me përfundimin e procesit të legalizimeve për mbi gjashtëmbëdhjetë mijë objekte dhe

Elbasanit me përfundimin e procesit të legalizimeve për mbi katër mijë objekte.

Dua të falënderoj punën e kryer nga stafet që operojnë në të katër këto qarqe ku sigurisht ka dhe një fluks më të madh të këkesave të qytetarëve për legalizim, kjo dhe si pasojë e numrit të madh të ndërtimeve pa leje përqëndruar në këto zona.

Këto rezultate pozitive që ju keni arritur gjatë vitit 2016 duhet të jenë një stimul edhe më i madh për drejtuesit dhe stafet që punojnë në këto drejtori, që këtë performancë të mirë ta vijojnë edhe në këtë vit të ri pune.

Ndërkohë që në ato drejtori ku performanca nuk ka qenë ajo e duhura i kërkojë drejtuesve të këtyre drejtorive të mobilizojnë stafet e tyre për të rritur performancën dhe të tregojnë përgjegjshmëri në punën e tyre të përditshme.

Të jesh sot një punonjës shteti do të thotë se ke marrë mbi supe një detyrë sublime në shërbim të qytetarëve.

E kam thënë dhe do ta ripërsëris mesazhin e dhënë gjatë takimeve të mëparshme që kemi pasur se papërgjegjshmëria në punë dhe arroganca nuk do të tolerohen.

Ju e dini më mirë se unë, pasi përballeni çdo ditë me hallet dhe problemet e qytetarëve që jo për faj të tyre, por për shkak të mungesës së instrumentave ligjorë për të evituar kaosin urban dhe ndërtimet pa leje që edhe sot edhe pse kanë shpenzuar të gjithë kursimet e tyre për një banesë nuk janë pronarë të ligjshëm të saj.

Ndaj Ju kërkojë që të trajtoni me përparësi dhe brenda rregullave çdo kërkesë të qytetarëve dhe të mos vononi mbylljen e procedurave të legalizimit apo ankesave/kërkesave të tyre.

Për zbatimin e VKM së datës 11 janar

Para vetëm 10 ditëve ne miratuam në Këshillin e Ministrave Vendimin Nr. 19 “Për përcaktimin e rregullave të legalizimit të objekteve me leje ndërtimi në të cilat janë kryer shtesa anësor dhe/ose në lartësi ose ndryshime të funksionit të hapësirave dhe të objekteve shumëkatëshe pa leje, të destinuara për kalimin e të drejtës së pronësisë apo qiradhënies”.

Besoj se ju të gjithë tashmë jeni njohur me këtë vendim dhe mbi rëndësinë që ka zbatimi i këtij vendimi me efiçencë dhe në mënyrë të përshpejtuar.

Janë 30 mijë familje në mbarë vendin nga të cilat 18 mijë vetëm në bashkinë Tiranë që janë penalizuar për vite të tëra nga veprimet e papërgjeshme të ndërtuesve apo investitorëve që kanë ndërtuar pa leje, nga e drejta për të hipotekuar banesën e blerë në mirëbesim.

Është një detyrim ligjor dhe moral i yni që mos të vonojmë dhe sjellim vërdallë asnjë nga këta qytetarë që përfitojnë nga ky Vendim të drejtën e legalizimit dhe më pas hipotekimit të banesës së tyre.

Do të kërkoja nga sejcili prej jush që t’i kaloni edhe stafeve që ju drejtoni mesazhin për zbatimin e këtij Vendimi si institucioni përgjegjës për mbylljen e procedurave të legalizimit për këto 30 mijë familje brenda afateve ligjore dhe pa i sorrollatur qytetarët.

Mbyllja në muajt në vijim e procesit të legalizimeve në zonat Informale të miratuara

Legalizimi ishte dhe një ndër angazhimet madhore të qeverisë Rama. Në 2013 u angazhuam se do të ndërmerrnim reforma në shërbim të mirëqënies së qytetarëve dhe ashtu vepruan edhe me legalizimet. Që në vitin tonë të parë me reformën ligjore që ndërmorëm mbajtëm premtimin tonë për legalizim falas dhe kthimin e këtij procesi nga një model dështimi në një model që ju vjen në ndihmë qytetarëve me transparencë dhe efikasitet.

Modeli që ne ndërtuam, prej fillimit të mandatit tonë qeverisës ishte një model i bazuar në punë dhe punë e bërë me përkushtim. Ndaj dhe legalizuam pesë herë më shumë objekte në dy vite e gjysëm se çfarë u legalizuan në tetë vitet e qeverisjes së demokratëve.

Por kjo shifër nuk duhet aspak të na kënaqë. Numri i aplikimeve për legalizim në të gjithë vendin nuk janë as 100 mijë dhe as 200 mijë, por plot treqind e katërmbërdhjetë mijë e tetëqind aplikime, për të cilat ne do duhet të punojmë fort që këtë ritëm pozitiv ta mbajmë edhe përgjatë këtij viti.

Angazhimi dhe objektivi ynë për vitin 2017 është mbyllja e procesit të legalizimit në të gjithë zonat informale që në rang vendi janë identifikuar dhe miratuar me Vendime të Këshillit Kombëtar të Territorit 277 zona informale.

Janë rreth 300 mijë familje që jetojnë në këto zona ku numri i ndërtimeve të identinfikuara është rreth 200 mijë ndaj dhe kërkesa ime për këtë vit do të jetë përfundimi i procesit të legalizimit në këto zona.

E kuptoj që është një angazhim i madh, por dhe jam e bindur se nëse punohet me përkushtim dhe përgjegjësi çdo gjë mund të arrihet.

Ju faleminderit,

Read More

Buxheti 2017, Gjermeni: Finalizim i projekteve të Rilindjes Urbane, strehim e legalizim.

big_big_parlament-2I nderuar kryetar i seancës,

Të nderuar deputetë,

Muaji Tetor u mbyll me një lajm shumë të mirë për ministrinë që unë drejtoj, por dhe me një vlerësim shumë pozitiv për reformat e ndërmarra në këto tre vite nga kjo qeveri.

Raporti “Të Bësh Biznes 2017”, i Bankës Botërore, e cilësoi reformën e zbatuar në fushën e lejeve të ndërtimit, si një nga rezultatet më pozitive në kuadër të transparencës, përshpejtimit dhe thjeshtimit të procesit të dhënies së lejeve. Kjo reformë, e realizuar falë punës dhe përkushtimit të kësaj qeverie, e mbështetur me ekspertizën më të mirë ndërkombëtare, mundësoi që vendi të përmirësonte renditjen në këtë indikator me 83 vende.

Në fakt, reforma në procesin e lejedhënies është vetëm një ndër arritjet e kësaj qeverie në këto tre vite.

Tre vjet më parë, dukej e vështirë, ndërmarrja gati në sinkron, e reformave në financat publike, në fushën energjetike, në administratën publike, në fushën e sigurimeve sociale dhe, veçanërisht, në atë të pensioneve, reforma administrative territoriale, reforma në arsim, reforma në shëndetësi, për të vijuar me reformën në drejtësi, tashmë të gjithë pranuar.

Ishim përballë shumë sfidave, ku sigurisht, më e madhja ishte të mos i dilnim nga fjala qytetarëve Shqiptarë që besuan te ne në 2013.

Në këtë kontekst, Ministria e porsa krijuar e Zhvillimit Urban, gjithashtu do të përballej me sfida dhe pengesa të trashëguara nga qeverisja e mëparshme.

Ishin të panumërta ndërhyrjet abuzive, spontane dhe kaotike në territor; mungonin instrumentet planifikues në të gjitha nivelet; numëroheshin me qindra mijë ndërtime pa leje që ishin bërë dhe vijonin ende, ku sigurisht procesi i korruptuar dhe për pasojë i dështuar i legalizimeve nuk e lehtësonte aspak punën për formalizimin e tyre; borxhe marramendëse në sektorin e strehimit dhe ku mungonin dokumentet dhe programet orientuese për t’i ofruar strehim shtresave në nevojë.

Të nderuar deputetë,

Përpara se të kaloja në detajimin e projektbuxhetit për vitin 2017, më lejoni t’ju informoj shkurtimisht mbi produktet konkrete që Ministria e Zhvillimit Urban dhe institucionet e saj të varësisë kanë realizuar gjatë këtyre tre viteve.

Në fushën e planifikimit

Ja dolëm mbanë që në më pak se tre vite punë të palodhshme me mbështetjen e ekspertëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë, të miratojmë Planin e Përgjithshëm Kombëtar. Mbas dy dekadave Shqipëria ka tashmë një dokument të integruar që vendos piketat e zhvillimit të territorit për pesëmbëdhjetë vitet e ardhshme. Në këtë Plan, parashikohen 40 projekte strategjike, që do të kontribuojnë për  zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, social dhe mjedisor të vendit.

Për të krijuar një platformë sa më integruese të zhvillimit të qëndrueshëm të territorit, hartuam dhe miratuam në qershor të këtij viti edhe dy plane sektoriale: Planin e Integruar Ndërsektorial për zonën ekonomike funksionale Tiranë – Durrës dhe Planin e Integruar Ndërsektorial për Bregdetin.

Duke e konsideruar territorin si një të tërë dhe jo të konfiguruar sipas formacioneve partiake, me buxhetin e vitit 2016 në vlerën mbi pesëqind e pesëdhjetë milionë lekë, financuam dhe ofruam asistencë teknike për hartimin e planeve të përgjithshme vendore në 26 bashki të vendit: CërrikDibërDivjakë, DurrësGjirokastërHimarëKavajëKonispolKorçëKrujëKurbinKukësLezhëLibrazhdPërrenjas

PogradecPoliçanRrogozhinë, SarandëShijakShkodër, Skrapar, Tiranë, Ura VajguroreVlorë dhe Vorë.

Falë asistencës së ofruar nga Programi i USAID-it për Planifikim dhe Qeverisje Vendore (USAID/PLGP), hartimi i planeve vendore është në proces realizimi edhe në 5 bashki të tjera: Lushnjë, Fier, Berat, Kuçovë dhe Elbasan. Ndërkohë që Programi për Decentralizimin dhe Zhvillimin Lokal (DLDP), ka ofruar mbështetje financiare dhe teknike në hartimin e planeve vendore për 5 bashki në veri të vendit: Tropojë, Mat, Klos, Malësi e Madhe dhe Vau i Dejës.

Në total janë 36 bashki të vendit që do të kenë shumë shpejt planet e tyre të përgjithshme vendore që përfaqësojnë interesat për zhvillim të qytetarëve, grupeve të biznesit dhe investitorëve falë një procesi model, transparent dhe gjithëpërfshirës.

Në fushën e zhvillimit të territorit

Një nga synimet tona si ministri ishte dhe zbatimi i projekteve pilot në kuadër të rigjenerimit urban të qendrave të qyteteve. Në këto tre vite kemi realizuar dy projekte konkrete:

Në vitin 2016 financuam zbatimin e projektit “Rigjenerimi urban i qendrës së Patosit”  nga i cili përfitojnë tre mijë e pesëqind banorë, me vlerë financimi mbi tridhjetë e pesë milionë Lekë.

Në vitin 2015, financuam zbatimin e projektit “Rivitalizimi i pjesshëm i zonës pranë Rrugës “Abaz Bej Lushnja”, me vlerë financimi njëzet e tetë milionë lekë.

Do të doja të sillja në vëmendjen tuaj, se të dy projektet e lart përmendura plotësojnë investimet që po kryhen në këto dy qendra, në kuadër të Programit Kombëtar Rilindja Urbane, duke i shërbyer nxitjes së zhvillimit të biznesit të vogël dhe të mesëm, si dhe përmirësimit të jetës sociale të qytetarëve.

Në fushën e legalizimit

Një nga premtimet tona në vitin 2013, ishte reforma ligjore dhe institucionale që do t’i hapte rrugën përshpejtimit dhe lehtësimit të procesit të legalizimeve të ndërtimeve informale në mbarë vendin. Vetëm për vitin 2016, kemi mundur të legalizojmë rreth pesëdhjetë e dy mijë objekte. Objektivi ynë është që brenda dhjetorit, numri i objekteve të legalizuara nga kjo qeveri në vetëm dy vite të arrijë në  njëqind mijë ose katër herë më shumë se numri i objekteve të legalizuara në qeverisjen e mëparshme.

Ne e mbajtëm premtimin tonë për legalizim FALAS ashtu siç mbajtëm edhe një premtim tjetër, që në zyrat e ALUIZNI-t qytetarët nuk do të ndihen të nëpërkëmbur dhe nuk do të përballen me arrogancën e punonjësve të administratës. Ne ia arritëm, që falë  luftës së vazhdueshme ndaj korrupsionit në procesin e legalizimit dhe regjistrimit të pronës, të ofrojmë për qytetarët një proces transparent dhe pa zvarritje.

Të nderuar,

Një nga premtimet e kësaj qeverie ka qenë reforma ligjore dhe institucionale në sektorin e strehimit, duke përmirësuar jo vetëm kuadrin ligjor dhe forcuar mekanizmat bashkëpunues ndërmjet institucioneve qendrore dhe bashkive, por edhe në hapjen e programeve të reja shoqëruar me instrumente financiarë në mbështetje të familjeve nga kategoritë në nevojë.

Prej mëse një viti, Ministria e Zhvillimit Urban ka punuar për hartimin e një projektligji të ri për strehimin social, i cili garanton më shumë kategori qytetarësh në nevojë të përfitojnë nga programet e strehimit. Gjithashtu, për herë të parë ne hartuam dhe miratuam Strategjinë e Strehimit Social 2016 – 2025 dhe Planin e Veprimit, një dokument që orienton dhe ofron zgjidhje konkrete dhe mundësi alternative për strehimin e familjeve me të ardhura të ulëta ose edhe pa të ardhura.

Në këto tre vite, kemi shpërndarë banesa sociale vetëm për familjet në nevojë, duke e pastruar skemën klienteliste nga familjarë të pushtetit që përfitonin shtëpi apo kredi të buta në kurriz të më të varfërve. Përmes Programit të Kreditimit të Lehtësuar, është siguruar subvencionimi i kredive me interes 0%, 3% dhe 4% për 4,176 familje.

Krijuam për herë të parë në vitin 2014, një program buxhetor dedikuar rikonstruksionit të banesave të komunitetit Rom dhe Egjyptian. Për periudhën 2014 – 2016, investuam 247 milionë lekë për rikonstruksionin e plotë të 469 banesave të komunitetit Rom dhe Egjyptian, në 15 bashki të vendit. Falë zbatimit të këtyre projekteve, janë një mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e gjashtë qytetarë të këtij komuniteti që jetojnë në kushte të përmirësuara jetese dhe mbi një mijë qytetarë që jetojnë në kushte më të mira higjeno sanitare falë ndërhyrjeve në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza.

Krijuam për herë të parë në vitin 2014, një program buxhetor dedikuar rikonstruksionit të objekteve ekzistuese të banimit me elementë të eficiencës së energjisë. Për periudhën 2014 – 2016, realizuam në 9 bashki të vendit modelet e para të rikonstruksionit të objekteve ekzistuese të banimit me një vlerë investimi nëntëdhjetë e tre milionë lekë, duke i mundësuar njëqind e pesëdhjetë e një familjeve përfituese të paguajnë rreth 40% më pak në faturat e tyre të energjisë.

Premtuam se do t’i japim prioritet strehimit të grupit të jetimëve që dalin nga institucionet e përkujdesit shoqëror dhe me buxhetin e vitit 2016, realizuam projektin e parë pilot dedikuar kategorisë me statusin e jetimit, në Bashkinë Shkodër, me vlerë investimi njëzet e tetë milionë lekë, nga i cili do të përfitojnë rreth njëzet e katër familje, apo individë me statusin e jetimit.

Riaktivizuam për herë të parë në buxhetin e vitit 2016, mekanizmin financiar të Bonusit të Strehimit, dedikuar plotësisht familjeve në nevojë me të ardhura minimale. Deri më tani kanë përfituar pagesën prej 50% të qirasë minimale të tregut tetëdhjetë e nëntë familje në 8 bashki të vendit, nga të cilat njëzet e nëntë familje me gra kryefamiljare.

Riaktivizuam për herë të parë në buxhetin e vitit 2016, mekanizmin financiar të Grantit të Menjëhershëm, një tjetër mekanizëm financiar që u vjen në ndihmë familjeve me statusin e jetimit dhe Personave me Aftësi të Kufizuar, duke ju paguar në mënyrë të menjëhershme 5 ose 10% të vlerës së pagesës së banesës të përfituar nga programi i banesave me kosto të ulët apo programi i kreditimit të lehtësuar. Deri më tani janë tridhjetë e pesë familje në 8 bashki të vendit që kanë përfituar nga ky instrument financiar.

Me buxhetin e vitit 2016, po realizojmë Projektin “Studim, projektim për zhvillimin urban të zonës pronë shtetërore – Rrapi i Treshit, Tiranë”, me vlerë financimi 9.8 milionë Lekë, me qëllim kryesor, strehimin e shtresave në nevojë. Nga zbatimi i këtij projekti parashikohet të ofrohet strehim me kosto të ulët dhe eficiencë energjie, për rreth 500 familje, duke krijuar zona që  ofrojnë shërbimet e nevojshme për qytetarët që  do të jetojnë aty.

Nëpërmjet investimeve të Entit Kombëtar të Banesave për periudhën 2014 – 2016, kemi financuar katërqind e gjashtëmbëdhjetë milionë lekë, për ndërtimin e Banesave të reja me Kosto të Ulët me elementë të eficiencës së energjisë në bashkitë Berat (34 apartamente), Fier (75 apartamente), Lushnjë (38 apartamente) dhe Librazhd (35 apartamente). Janë njëqind e tetëdhjetë e dy familje me të ardhura të ulëta që u është dhënë mundësia për të përfituar Banesë me Kosto të Ulët.

Ndërkohë që për vitin 2017, sërish me fonde të Entit Kombëtar të Banesave, do të përfundojë ndërtimi i katër objekteve të reja të banimit ku do të strehohen 160 familje të reja, përkatësisht:

në Bashkinë Korçë, dy objekte banimi nga ku do të përfitojnë 74 familje; në Bashkinë Durrës, një objekt banimi me 24 apartamente;

në Bashkinë Lushnjë, objekti i banimit me 38 apartamente dhe

në Bashkinë Pukë, do të fillojë rikonstruksioni i dy objekteve, pronë e bashkisë që do të kthehen në objekte me funksion banimi, ku do të mundësohet strehimi i 24 familjeve.

Me financim të Bankës Evropiane për Zhvillim (CEB), për periudhën 2014 – 2016, në bashkëpunim me Bashkinë Durrës mundësuam ndërtimin e 216 apartamenteve të reja për strehim social, ku janë strehuar 128 familje në nevojë, ndërkohë që përfundimi i ndërtimit dhe shpërndarja e 88 apartamenteve të mbetura, do të realizohet në vitin 2017.

Të nderuar deputetë,

Standardet e ndërtimit janë një tjetër fushë që mbulon kjo ministri. Jemi të gjithë në një emërues të përbashkët kur themi se në këto 25 vite, për rishikimin e tyre është bërë pak për të mos thënë aspak.

Në këto dy vite kemi punuar fort për hartimin e standardeve dhe normativave në projektim dhe ndërtim, me qëllim vendosjen e rregullave në funksion të rritjes së cilësisë së produktit në fushën e ndërtimit dhe të përmirësimit të cilësisë së jetës, sigurisë dhe shëndetit të qytetarëve. Me një buxhet minimal kemi hartuar:

  • Normativat e projektimit të banesave;
  • Normativat e projektimit të çerdheve;
  • Normativat e projektimit të kopshteve dhe shkollave;
  • Rregulloret teknike “Për Projektimin dhe Ndërtimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë”;
  • Manualin e tarifave për shërbime në planifikim territori, projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim.
  • Përshtatjen e Eurokodeve 4, 6, 7 dhe pjesërisht Eurokodin 8, me anekset kombëtare. Përshtatja e Eurokodeve, plotësimi i tyre me anekset kombëtare dhe përdorimi i tyre si standarde ligjore, i shërben rritjes së cilësisë së ndërtimeve në drejtim të qëndrueshmërisë strukturore, si edhe marrjes së masave konkrete në drejtim të shmangies së rrezikut nga tërmetet.

Në fushën e licencimit të profesioneve të lira

Si ministria përgjegjëse për licencimin e profesioneve të lira në fushat e studim, projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim si dhe për vlerësuesit e pasurive të paluajtshme kemi mundësuar:

  • me buxhetin e vitit 2016, krijimin e sistemit informatik të integruar për E – shërbimet licencimi për studim, projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim të punimeve të ndërtimit. Ky sistem i shërben mbi 8.000 profesionistëve që ushtrojnë aktualisht veprimtarinë e licencuar në këto fusha, si dhe gjithë profesionistëve që do të licencohen në vijim, si dhe
  • me buxhetin e vitit 2015, krijimin e sistemit informatik të integruar për E – shërbimet për licencimin e vlerësuesve të pasurive të paluajtshme.

Gjithashtu, gjatë këtij viti, në kuadër të programit “Shqipëria Dixhitale”, përfunduam projektin e dixhitalizimit të shërbimeve të ofruara nga Arkivi Qëndror Teknik i Ndërtimit, me vlerë investimi mbi tetëdhjetë e tre milionë lekë. Ky projekt, mundëson jo vetëm ruajtjen e dokumentacionit nëpërmjet krijimit të arkivës elektronike, shërbimin e dokumentacionit ortofoto, por dhe shërbimin online të këtij dokumentacioni për të gjithë përdoruesit e arkivit. Janë rreth pesëqind e dyzet e pesë mijë dokumente, të cilat numërohen sot në fondin arkivor të këtij institucioni. Deri më tani 60% e kësaj pasurie kombëtare gjendet edhe në format elektronik. Qëllimi ynë është ta pasurojmë sa vjen e më shumë arkivën e AQTN-së dhe ta përshtatim atë me ritmet e kohës, përmes zbatimit të teknologjive bashkëkohore, duke u përqendruar te dixhitalizimi.

Të nderuar deputetë,

Të gjithë reformat e ndërmarra gjatë këtyre tre viteve, por dhe ato të parashikuara me buxhetin e vitit 2017, kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, social dhe mjedisor të vendit, ku përfituesit kryesor janë qytetarët.

Buxheti i vitit 2017 është orientuar drejt rritjes ekonomike dhe mirëqenies së qytetarëve, duke përshpejtuar rritjen ekonomike në 3.8% dhe ulur borxhin publik në 69.1%.

Buxheti i këtij viti është buxheti që mbështet dhe siguron, rritjen e pagave dhe pensioneve, për 110 mijë punonjës të administratës publike qendrore dhe vendore dhe rreth 600 mijë pensionistë në qytet e fshat, financuar tërësisht nga të ardhurat buxhetore dhe jo të marra borxh.

Për vitin 2017 projektbuxheti i Ministrisë së Zhvillimit Urban do të jetë rreth njëmbëdhjetë pikë gjashtë miliardë lekë i ndarë në:

10.5 miliardë lekë investime dhe

1.1 miliardë lekë shpenzime operative

Kjo është vlera më e lartë e alokuar nën zërin investime për Ministrinë e Zhvillimit Urban, që prej krijimit të këtij institucioni në vitin 2013.

Kjo rritje në buxhetin e Ministrisë për vitin 2017, vjen si rezultat i kalimit të grantit konkurrues për infrastrukturën vendore dhe rajonale me burim financimi programin e Infrastrukturës Vendore dhe Rajonale të Fondit për Zhvillimin e Rajoneve në vlerën 9.5 miliardë lekë, si pjesë e buxhetit të ministrisë.

Buxheti 2017 siguron vazhdimësinë e veprimtarisë dhe reformave të nisura në fushën e planifikimit dhe zhvillimit urban, lejeve të ndërtimit, legalizimit dhe urbanizimit të zonave informale, strehimit, standardeve të ndërtimit dhe së fundmi projektimit në fushën e mbetjeve urbane, me impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e mirëqenies së qytetarëve

Në fushën e planifikimit do të vijojmë të mbështesim pushtetin vendor, që të marrë rolin udhëheqës në proceset planifikuese dhe zhvillimit të tokës, duke mbrojtur zonat natyrore, historike dhe bujqësore.

  1. Për vitin 2017 kemi planifikuar 129.8 mln lekë për hartimin e planeve të përgjithshme vendore në rreth 7 bashki të reja (Përmet, Këlcyrë, Kolonjë, Pukë, Mirditë, Gramsh dhe Belsh). Brenda vitit 2017, 43 bashki nga 61 do të kenë të hartuar dhe miratuar instrumentet e tyre vendorë, duke garantuar zhvillimin e qëndrueshëm urban, ekonomik, social, mjedisor, duke i hapur kështu rrugën investimeve strategjike.
  2. Zbatimin e projekteve pilot në bashkitë Tiranë, Korçë, Belsh dhe Himarë për rivitalizimin urban dhe rijetësimin e infrastrukturës (në bashkëpunim me Qendrën për Edukim Ekonomik dhe Biznesin – CEBE) në vlerën 10 milionë lekë.

Në fushën e strehimit për të garantuar kushte të përmirësuara jetese dhe ofrimin e një strehimi të përballueshëm për qytetarët kemi parashikuar 560 milionë lekë.

Me buxhetin e vitit 2017 do të mundësojmë :

  1. Përmirësimin e kushteve të jetesës për 740 qytetarë të komunitetit Rom dhe Egjyptian;
  2. Strehimin e të paktën 135 familjeve të pastreha nëpërmjet programit tonë për rehabilitimin e godinave ekzistuese të dala jashtë funksionit në bashki të ndryshme të vendit;
  3. Subvencionimin e interesave të kredive me interes 0 dhe 3% për rreth 4300 familje, të cilat janë trajtuar me kredi me kosto të ulët që prej vitit 2009.
  4. Mbulimin e qirasë në masën 50 deri në 100% të vlerës për 210 familje, nëpërmjet instrumentit financiar të Bonusit të Strehimi
  5. Ofrimin e Grantit të Menjëhershëm për 20 familje, i jepet për shlyerjen e kredisë së përftuar të banesës me kosto të ulët nga personat me aftësi të kufizuar dhe jetimët në masën 5 – 10 % të vlerës së banesës, si dhe
  6. Pagesën e qirave të 174 familje, që janë prekur nga zbatimi i projektit të rrugës Transballkanike, në Vlorë dhe projektit të Unazës së Madhe, në Tiranë.

Në fushën e legalizimeve për vitin 2017, janë parashikuar  për ALUIZNI-n, rreth 97.6 milionë lekë investime. Ky fond i parashikuar do të bëjë të mundur realizimin e një tjetër premtimi të kësaj qeverie që lidhet me përfundimin e procesit të legalizimit brenda zonave informale. Janë plot 277 zona informale të miratuara deri më tani, ku vlerësohet se numri i ndërtimeve pa leje është rreth njëqind e pesëdhjetë mijë objekte. Me buxhetin e parashikuar për vitin 2017, ne do të mundësojmë që deri në fund të mandatit tonë, të përmbyllim procesin e legalizimit për të dyqind mijë familjet që jetojnë në zona informale të miratuara.

Gjithashtu me buxhetin e vitit 2017 do të financohet zbatimi i tre projekte madhore me financim të huaj:

Me financim të qeverisë Gjermane, nëpërmjet GIZ (Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar), fillon zbatimin faza e dytë e projektit “Zhvillimi i integruar dhe i qëndrueshëm i zonës bregdetare”, i cili ka për qëllim krijimin e një qasjeje të integruar për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit bregdetar jugor, duke u mbështetur në potencialet që ofron ky rajon.

Rezultati do të jetë hartimi i një plani të integruar veprimi për rritjen e potencialit turistik, evidentimin e modeleve të partneritetit publik-privat, si dhe krijimi i një strategjie për planifikimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të territorit, me fokus krijimin e modeleve të suksesshme të konservimit urban dhe zhvillimit të turizmit.

Sërish me financim të qeverisë Gjermane, nëpërmjet nga Bankës Gjermane për Zhvillim (KFW), do të bëhet i mundur hartimi i Master planit në fushën e mbetjeve, një instrument i nevojshëm që plotëson paketën për krijimin e një sistemi të integruar të mbetjeve në Shqipëri. Ky dokument do tё pёrcaktojё vendet ku do të ndërtohen landfillet apo impiantet e trajtimit të mbetjeve në të 12 qarqet e vendit në bashkëpunim të ngushtë me ministritë e linjës dhe 61 bashkitë.

Në 2017, gjithashtu fillon zbatimin edhe projekti madhor i financuar nga Banka Botërore “Zhvillimi i Integruar Urban dhe Turizmit”. Për këtë projekt, Ministria e Zhvillimit Urban, si institucioni lider, ka planifikuar për vitin 2017 fondin prej 60 milionë lekësh. Në kuadër të zbatimit të politikave të zhvillimit rajonal, Qeveria Shqiptare ka përcaktuar si rajone prioritare që mbartin potenciale konkrete të trashëgimisë kulturore dhe natyrore, me qëllim stimulimin e zhvillimit të sektorit të turizmit si lokomotivë e rritjes së ekonomisë në nivel lokal, rajonal dhe kombëtar: rajonin bregdetar (Vlorë-Sarandë), si dhe zonën më në brendësi (Berat, Gjirokastër Përmet).

Zbatimi i këtij projekti me një shtrirje pesë vjeçare do të mundësojë: (i) përmirësimin e infrastrukturës urbane, (ii) përmirësimin e aseteve turistike dhe (iii) forcimin e kapaciteteve institucionale në zonat e përzgjedhura.

Brenda vitit të parë të marrjes së kredisë është parashikuar zbatimi i një sërë projektesh afatshkurtra si më poshtë vijon:

  1. Rehabilitimi i shkallareve në qendër të qytetit të Sarandës;
  2. Rehabilitimi i ndriçimit rrugor në qendrën historike të qytetit të Gjirokastrës;
  3. Rehabilitimi i rrugëve të aksesit automobilistik dhe këmbësor të kalasë së Beratit dhe pikës panoramike “Tabja” në kalanë e Beratit.
  4. Të tjera projekte, të cilat do të identifikohen dhe prioritizohen nga Qeveria Shqiptare.

Të nderuar deputetë,

Në fund të fjalës time, do të doja të ndalesha shkurtimisht te mënyra se si do të disbursohet granti konkurrues për infrastrukturën vendore dhe rajonale në vlerën 9.5 miliardë lekë, i cili është kaluar nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve në buxhetin e Ministrisë që unë drejtoj.

Është fakt, se Fondi për Zhvillimin e Rajoneve, që prej vitit 2014, ka funksionuar si një strukturë e riformatuar qoftë për nga pikëpamja financiare, por edhe në kuadër të gamës së gjerë të projekteve që mbështet.

Për periudhën 2014 – 2016 janë investuar rreth 28 miliardë lekë për zbatimin e 328 projekteve të infrastrukturës vendore, (nga të cilat, 126 projekte të miratuara në vitin 2014; 105 projekte të miratuara në vitin 2015 dhe 97 projekte të miratuara në tre thirrjet e vitit 2016), nga Veriu në Jug, nga bashkitë e mëdha e deri tek ato më të voglat të harruara prej kohësh.

Një nga prioritetet kryesore për Qeverinë Rama, ka qenë dhe mbetet zhvillimi social dhe ekonomik i balancuar në të gjithë territorin e vendit.

Programi Kombëtar i Rilindjes Urbane, është një përkthim në terma realë i këtij prioriteti, që vjen si një risi në procesin e ndërhyrjes rehabilituese në territor, me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e ekonomive lokale, jetës sociale të komuniteteve dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve.

Është fakt se qytetet tona janë kthyer sot në qendra urbane plotësisht të rehabilituara në funksion të zhvillimit të biznesit lokal dhe mirëqenies sociale të qytetarëve, ku të gjithë ndërhyrjet e kryera kanë qenë të harmonizuara me vlerat arkitektonike, kulturore dhe historike pa i humbur identitetin qyteteve tona.

Ndryshe nga investimet sporadike të kryera në tetë vitet e qeverisjes së mëparshme ne:

Investuam edhe në ato qytete, të cilat ishin të harruara prej kohësh (Skrapar, Tropojë, Pukë, Malësi e Madhe, Kukës, Burrel, Kavajë, Krujë, Belsh, Gramsh, Librazhd, Divjakë, Velipojë, Gramsh, Orikum, Selenicë etj.).

Nga zero projekte për qendra qytetesh, shëtitore, sheshe në vitin 2013, financuam 102 projekte për rivitalizimin e qendrave urbane si: projektet e qendrës së Durrësit, qendrës së Korçës, shëtitores së Elbasanit, qendrës së Lushnjes, qendrës së Kukësit, shëtitores së Lezhës, qendrës së Kavajës, qendrës së Tamarës në Malësi të Madhe, etj.

Nga zero projekte në vitin 2013, për rehabilitimin e hapësirave të gjelbra, kënde lojërash për fëmijë dhe objekte kulturore publike në dy vite, mbështetëm 34 projekte të tilla si: Parku i Viroit në Gjirokastër, Parku pranë pedonales Berat, Parku Rinia në Korçë, gjelbërimi përreth urës së Dajlanit në Durrës, pyllëzimi i Kurorës së Sarandës, hapësirat e gjelbërta në qytetin e Gramshit, këndi lojërave në Burrel, etj.

Zbatuam 171 projekte të infrastrukturës urbane, duke shkurtuar distancat mes qendrave urbane dhe atyre rurale, mundësuar zhvillimin e bizneseve të reja dhe përmirësuar lëvizshmërinë dhe aksesueshmërinë për qytetarët si dhe rigjenerimin urban të lagjeve dhe zonave të banuara, duke krijuar më shumë hapësira publike për qytetarët.

Në vitin 2013 gjetëm zero projekte zhvillimore të infrastrukturës turistike, ndërkohë, në dy vjet realizuam 11 projekte si psh: Pika panoramike në Llogara dhe PortopalermoRikualifikim i territorit  të kalasë së Ali Pashë TepelenëNdërtimi i qendrës sportive për sportin “Rafting” në kanionet e Skraparit dhe Krijimi i një shtegu traking në kanionin e Gjipesë.

Në vitin 2013 gjetëm zero projekte për urbanizimin e zonave informale, ndërkohë, që në dy vjet financuam dhe zbatuam 3 projekte pilot, modele zhvillimi dhe integrimi të komuniteteve në këto zona në tre qytete Vlorë, Lushnjë dhe Durrës. Sot 22,000 qytetarë të këtyre zonave jetojnë me infrastrukturë urbane tërësisht të rehabilituar, duke i dhënë hov zhvillimit ekonomik, mjedisor dhe social.

Për herë të parë, nëpërmjet Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, ne po ofrojmë mbështetje financiare për projekte rajonale mes bashkive fqinje, nga ku do të veçoja projektet për krijimin e  shtigjeve, udhëve dhe itinerareve turistike, në zonën Pëllumbas-Shën Gjergj – Mali me Gropa – Bizë në Bashkinë Tiranë dhe Gur i Bardhë -Lugina e Vashës në Bashkinë Klos.

Me fondin e alokuar për vitin 2017, ne do të vijojmë likuidimin e detyrimeve kontraktuale dhe mbylljen me sukses të 80 kantiereve të ndërtimit në kuadër të Programit Rilindja Urbane, si dhe financimit të  programit “Shqipëria Dixhitale”, i cili përbëhet edhe nga granti konkurrues për inovacionin dhe teknologjinë e komunikimit.

Të nderuar deputetë,

Projektbuxheti i vitit 2017, është buxheti që do të garantojë realizimin me sukses të të gjithë reformave të premtuara në Programin tonë qeverisës 2013 – 2017, si dhe në finalizimin me sukses të të gjithë projekteve të nisura, e që priten të përfundojnë në vitin që vjen. Unë ju ftoj të votoni Pro këtij buxheti, i cili nuk është vetëm buxheti i një qeverie, por është buxheti dedikuar mirëqenies së qytetarëve.

Ju faleminderit!

Read More

Fjala e Ministres Gjermeni në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, mbi buxhetin e vitit 2017.

big_1.jpgI nderuar kryetar,

Të nderuar anëtarë,

Kam kënaqësinë që, sot të prezantoj, para jush, projektbuxhetin e Ministrisë së Zhvillimit Urban, për vitin 2017.

Më lejoni që, para se të kaloj në prezantimin e projektbuxhetit për vitin 2017, t’ju informoj shkurtimisht mbi produktet konkrete që Ministria e Zhvillimit Urban dhe pesë institucionet e saj të varësisë kanë realizuar apo janë ende në proces realizimi, me buxhetin e vitit 2016, në vlerën 2,3 miliard lekë.

  • Në fushën e planifikimit

Ja dolëm mbanë që, në më pak se tre vite punë të palodhshme, me mbështetjen e ekspertëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë, të miratojmë Planin e Përgjithshëm Kombëtar. Mbas dy dekadave,  Shqipëria ka tashmë një dokument të integruar që vendos piketat e zhvillimit të territorit në pesëmbëdhjetë vitet e ardhshme, si dhe parashikon hartimin e 40 projekteve strategjike që garantojnë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, social dhe mjedisor të vendit.

Për të krijuar një platformë sa më integruese të zhvillimit të qëndrueshëm të territorit, hartuam dhe miratuam, në qershor të këtij viti edhe dy planet sektoriale: Planin e Integruar Ndërsektoriale për zonën ekonomike Tiranë – Durrës dhe Planin e Integruar Ndërsektorial për Bregdetin.

Duke e konsideruar territorin si një të tërë dhe jo të konfiguruar sipas formacioneve partiake, me buxhetin e vitit 2016, në vlerën 562.6 milionë lekë, financuam dhe ofruam asistencë teknike për hartimin e planeve të përgjithshme vendore në 26 bashki të vendit, përkatësisht: CërrikDibërDivjakë, DurrësGjirokastërHimarëKavajëKonispolKorçëKrujëKurbinKukësLezhëLibrazhdPërrenjasPogradecPoliçanRrogozhinë, SarandëShijakShkodër, Skrapar, Tiranë, Ura VajguroreVlorë dhe Vorë. (pritet miratimi i tyre në Këshillat Bashkiak brenda muajit dhjetor 2016)

Falë asistencës së ofruar nga Programi i USAID për Planifikim dhe Qeverisje Vendore (USAID/PLGP) hartimi i planeve vendore po realizohet edhe në 5 bashki të tjera: Lushnjë, Fier, Berat, Kuçovë dhe Elbasan. (pritet miratimi i tyre në Këshillat Bashkiak brenda muajit dhjetor 2016);

Ndërkohë që, Programi për Decentralizimin dhe Zhvillimin Lokal (DLDP) ka ofruar mbështetje financiare dhe teknike në hartimin e planeve vendore për 5 bashkitë e veriut, Tropojë, Mat, Klos, Malësi e Madhe dhe Vau i Dejës (miratohen në Këshillat Bashkiak maj 2017).

Gjithsej, puna për hartimin e planeve të përgjithshme vendore ka nisur në 36 bashki të vendit.

  • Në fushën e zhvillimit të territorit

Gjatë vitit 2016, hartuam dhe realizuam në qendrat e qyteteve dhe zonat me potencial zhvillimin e turizmit me financim nga buxheti i shtetit dhe donator,ë projektet si më poshtë vijon:

  • Projektin për Rigjenerimin Urban të qendrës së qytetit të Patosit, me vlerë financimi 35.9 milionë Lekë nga zbatimi i të cilit do të përfitojnë 3,500 banorë të këtij qyteti. Ky projekt, do të përdoret si model i ndërhyrjeve për përmirësimin e infrastrukturës në zonat urbane dhe krijimin e kushteve më të favorshme për të nxitur zhvillimin ekonomik lokal, për t’u zbatuar më pas edhe në qytete të tjera dhe
  • Projekt – zbatimin për By-pasin e qytetit të Gjirokastrës, me vlerë financimi 18.1 milionë lekë, duke ofruar një zgjidhje problemit të qarkullimit në zonën e Pazarit që i shërben të gjithë qytetit të Gjirokastrës nga pikëpamja urbanistike.
  • Në fushën e legalizimit

Në fillim të mandatit tonë qeverisës premtuam se, do të ndërmerrnim procesin e legalizimit dhe integrimit të vendbanimeve informale, për t`i dhënë fund veprimeve të paligjshme dhe premtimin tonë po e mbajmë çdo ditë.

Vetëm për periudhën 1 Janar – 18 Nëntor 2016, kemi arritur të legalizojmë 36,951 objekte nga të cilat, 96% objekte me funksion banimi dhe vetëm 4% objekte me funksion social-ekonomik  (biznese), duke mbajtur një ritëm konstant të rreth 40,000 leje legalizimi në vit.

Falë luftës sonë të vazhdueshme ndaj korrupsionit, në procesin e legalizimit dhe regjistrimit të pronës, kemi arritur të ofrojmë për qytetarët një proces transparent dhe pa zvarritje.

Gjithashtu, kemi realizuar  gjatë këtyre 10 muajve, të vitit 2016, një milionë e pesëqind mijë lekë të ardhura nga sigurimi i kalimit të drejtës së pronësisë, nga të cilat rreth një milionë lekë janë transferuar në fondin special të kompesimit për shpërblimin e pronarëve, pronat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet pa leje.

Të nderuar,

Një nga premtimet e kësaj Qeverie ka qenë dhe reforma ligjore dhe institucionale në sektorin e strehimit, nëpërmjet ofrimit të programeve dhe instrumenteve financiarë që ofrojnë strehim të përballueshëm për familjet në nevojë.

Për vitin 2016, me fondin rreth 225 milionë lekë, vijuam subvencionimin e kredive me interes 0%, 3% dhe 4% për Programin e Kreditimit të Lehtësuar. Gjatë këtij viti, në këtë program u akordua subvencionimi i interesave të kredisë me 3% për 131 familje të reja dhe me 0% interes për 19 familje të reja, duke e çuar në 4,260 numrin e familjeve që përfitojnë nga ky program që prej vitit 2009.

Me fondin 22 milionë lekë të alokuar për Bonusin e Strehimit, për familjet në nevojë, nga të cilat 2 milionë lekë vetëm për familjet një-prindërore (gra kryefamiljare dhe gra viktima të dhunës), kemi mbështetur deri më tani 89 familje në 8 bashki të vendit (21 familje në Bashkinë Tropojë, 6 familje në Elbasan, 20 familje në Mirditë, 18 familje në Korçë, 10 familje në Pogradec, 7 familje në Lezhë, 4 familje në Has dhe 3 familje në Gramsh), të cilave Ministria e Zhvillimit Urban po u mbulon, financiarisht, pagesën prej 50% të qirasë minimale të tregut.

Për vitin buxhetor 2016 kemi disbursuar 9.4 milionë lekë për Grantin e menjëhershëm, një tjetër mekanizëm financiar që ndihmon familjet e jetimëve dhe atyre me Persona me Aftësi të Kufizuar, duke u paguar, në mënyrë të menjëhershme,  5 ose 10% të vlerës së pagesës së banesës të përfituar nga programi i Banesave me Kosto të Ulët, si edhe Programi i Kreditimit të Lehtësuar. Deri më tani, janë 35 familje që kanë përfituar nga ky instrument financiar në qytetet Kavajë, Krujë, Gramsh, Pogradec, Vlorë, Korçë, Kamëz, Lezhë, Berat dhe Tiranë.

Me buxhetin e vitit 2016 po realizojmë projektin e parë pilot,  dedikuar kategorisë me statusin e jetimit. Ky projekt është duke u zbatuar në Bashkinë Shkodër dhe parashikon “Rehabilitimin e godinës (ish konvikti i shkollës pyjore) në qytetin e Shkodrës, për trajtim me strehim të grupit të jetimëve dhe familjeve një-prindërore”, me vlerë investimi mbi 28.8 milionë lekë.  Pas përfundimit të këtij projekti Bashkia Shkodër do të ketë në dispozicion, për shpërndarje, më pas te familjet apo individë me statusin e jetimit, që kanë dalë nga institucionet e kujdesit shoqëror, në total 24 apartamente, nga të cilat 18 garsoniere dhe  6 apartamente 1 +1.

Në kuadër të programit “Përmirësimi i kushteve të banimit për komunitetin Rom dhe Egjiptian” investuam 99 milionë lekë për realizimin e 10 projekteve në Bashkitë Krujë, Lushnjë, Vlorë, Roskovec, Elbasan, Shkodër, Belsh, Rrogozhinë, Divjakë dhe Këlcyrë. Falë zbatimit të këtyre projekteve, 187 familje të komunitetit Rom dhe Egjiptian jetojnë në banesa të rikonstruktuara dhe me kushte higjeno-sanitare.

Realizuam 61 milionë lekë investime për zbatimin e 6 projekteve të rikonstruksionit të objekteve të banimit, në bashkëpronësi me elementë të eficiencës së energjisë nga ku përfitojnë 94 familje. Projektet u zbatuan në bashkitë Krumë, Prrenjas, Malësi e Madhe, Fushë-Arrëz, Tropojë dhe Kavajë.

Një tjetër projekt që ne jemi duke realizuar me buxhetin e vitit 2016 është edhe projekti “Studim, projektim për zhvillimin urban të zonës pronë shtetërore – Rrapi i Trishit, Tiranë”, me vlerë financimi 9.8 milionë lekë. Ky projekt do të zhvillohet si një model i partneritetit publik- privat në fushën e strehimit dhe parashikon një studim urban dhe arkitektonik, ku ofrohet strehim me kosto të ulët dhe eficiencë energjie, për rreth 500 familje.

Gjithashtu, nëpërmjet investimeve të Entit Kombëtar të Banesave, financuam 416 milionë lekë për ndërtimin e Banesave të Reja me Kosto të Ulët, me elemente të eficiencës së energjisë në bashkitë Berat (34 apartamente), Fier (75 apartamente), Lushnjë (38 apartamente) dhe Librazhd (35 apartamente). Janë plot 182 familje me të ardhura të ulëta që u është dhënë mundësia për të përfituar Banesë me Kosto të Ulët.

Ndërkohë, me financim të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB) për periudhën 2014 – 2016 në bashkëpunim me Bashkinë Durrës, mundësuam ndërtimin e 128 apartamenteve të reja për strehim social ku janë strehuar 128 familje në nevojë.

Të nderuar,

Standardet e ndërtimit janë një tjetër fushë që mbulon kjo ministri. Jemi të gjithë në një emërues të përbashkët kur themi se,  në këto 25 vite për rishikimin e tyre është bërë pak për të mos thënë aspak.

Në këto dy vite, kemi punuar fort për hartimin e standardeve dhe normativave në projektim dhe ndërtim dhe me buxhetin e vitit 2016 hartuam:

  • Normativat e projektimit të kopshteve dhe shkollave me vlerë financimi 6.1 milionë lekë nga buxheti i vitit 2016.
  • Gjithashtu, me fondin prej 16.4 milionë lekë, realizuam përshtatjen e Euro-kodeve 4, 6, 7 dhe pjesërisht Euro-kodin 8, me anekset kombëtare. Përshtatja e Euro-kodeve, plotësimi i tyre me anekset kombëtare dhe përdorimi i tyre si standarde ligjore, i shërben rritjes së cilësisë së ndërtimeve në drejtim të qëndrueshmërisë strukturore, si edhe marrjes së masave konkrete në drejtim të shmangies së rrezikut nga tërmetet.

Në fushën e licencimit të profesioneve të lira

Me buxhetin e vitit 2016 investuam 35.2 milionë lekë për krijimin e sistemit informatik, të integruar për e – shërbimet licencimi për studim, projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim të punimeve të ndërtimit. Ky sistem i shërben mbi 8.000 profesionistëve që ushtrojnë aktualisht veprimtarinë e licencuar në këto fusha, si dhe gjithë profesionistëve që do të licencohen në vijim.

Gjithashtu, gjatë këtij viti, në kuadër të programit “Shqipëria Dixhitale”, përfunduam projektin e digjitalizimit të shërbimeve të ofruara nga Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit, me vlerë investimi 83.8 milionë lekë, nga i cili janë disbursuar, deri më tani, 66.6 milionë lekë. Ky projekt mundëson jo vetëm ruajtjen e dokumentacionit nëpërmjet krijimit të arkivës elektronike, shërbimin e dokumentacionit orto-foto, por dhe shërbimin on-line të këtij dokumentacioni, për të gjithë përdoruesit e arkivit.

Të nderuar deputetë,

Për vitin 2017 projektbuxheti i Ministrisë së Zhvillimit Urban do të jetë rreth njëmbëdhjetë pikë gjashtë miliardë lekë, i ndarë në:

10.5 miliardë lekë investime dhe

1.1 miliardë lekë shpenzime operative

Kjo është vlera më e lartë e alokuar nën zërin investime për Ministrinë e Zhvillimit Urban, që prej krijimit të këtij institucioni në vitin 2013.

Më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj se kjo rritje në buxhetin e Ministrisë për vitin 2017 vjen si rezultat i kalimit të grantit konkurrues për infrastrukturën vendore dhe rajonale me burim financimi programin e Infrastrukturës Vendore dhe Rajonale të Fondit për Zhvillimin e Rajoneve në vlerën 9.5 miliardë lekë.

Për vitin 2017, Ministria e Zhvillimit Urban ka planifikuar të realizojë produktet si më poshtë vijon:

Në fushën e planifikimit do të vijojmë të mbështesim pushtetin vendor, që të marrë rolin udhëheqës në proceset planifikuese dhe zhvillimit të tokës, duke mbrojtur zonat natyrore, historike dhe bujqësore.

  • Për vitin 2017 kemi planifikuar 129.8 mln lekë për hartimin e planeve të përgjithshme vendore në rreth 7 bashki të reja (potencialisht Përmet, Këlcyrë, Kolonjë, Pukë, Mirditë, Gramsh dhe Skrapar). Brenda vitit 2017, 43 bashki nga 61 do të kenë të hartuar dhe miratuar instrumentet e tyre vendorë, duke garantuar zhvillimin e qëndrueshëm urban, ekonomik, social, mjedisor, duke i hapur rrugën investimeve strategjike.
  • Zbatimin e projekteve pilot në bashkitë Tiranë, Korçë, Belsh dhe Himarë, për rivitalizimin urban dhe rijetësimin e infrastrukturës (në bashkëpunim me Qendrën për Edukim Ekonomik dhe Biznesin – CEBE) në vlerën 10 milionë lekë.

Në fushën e strehimit për të garantuar kushte të përmirësuara jetese dhe ofrimin e një strehimi të përballueshëm për qytetarët kemi parashikuar 560 milionë lekë nga të cilat:

260 milionë lekë investime të ndara në dy kategori:

  1. 120 milionë lekë për projekte dedikuar rikonstruksionit të 180 banesave të komunitetit Rom dhe Egjiptian, sipas kërkesave të bashkive për strehimin e këtij komuniteti. Përfitues do të jenë rreth 740 qytetarë të komunitetit Rom dhe Egjiptianë.
  2. 140 milionë lekë për rehabilitimin e godinave ekzistuese, të dala jashtë funksionit fillestar, me qëllim strehimin e shtresave në nevojë, për 135 familje të pastreha.

250 milionë lekë nga shpenzimet korrente, për subvensionimin e interesave të kredive me përfitues 4300 familje, të cilat janë trajtuar me kredi me kosto të ulët, duke zvogëluar numrin e të pastrehëve në mbarë vendin.

14 milionë lekë Bonus Strehimi, për 210 familje, të cilat nuk kanë asnjë alternativë tjetër strehimi. Nëpërmjet instrumentit të Bonusit të Strehimit, buxheti i shtetit i siguron familjeve në nevojë, banesë, duke financuar qiranë në treg të lirë në masën 50 – 100% të vlerës.

5 milionë lekë Granti i Menjëhershëm, për 20 familje, i jepet për shlyerjen e kredisë së përftuar të banesës me kosto të ulët nga personat me aftësi të kufizuar dhe jetimët, në masën 5 – 10 % të vlerës së banesës.

Rreth 13 milionë lekë për pagesën e qirave të familjeve që preken nga zbatimi i disa projekteve, siç janë projekti i rrugës trans-ballkanike, në Vlorë dhe projekti i Unazës së Madhe, në Tiranë, shpenzime që me Vendim të Këshillit të Ministrave duhen përballuar nga fondet e strehimit të parashikuara në buxhetet e çdo viti për MZHU-në. Përfitues do të jenë 174 familje.

Në fushën e legalizimeve për vitin 2017, janë parashikuar  për ALUIZNI-n rreth 97.6 milionë lekë investime për intensifikimin e procesit për legalizimin  e rreth  40.000  objekteve të reja në zonat masive informale, përgjatë vitit 2017.

Në kuadër të projekteve me financim të huaj, për vitin 2016 dhe 2017 janë parashikuar projektet si më poshtë vijon:

  •  “Projekti i banesave sociale me qira”, financuar nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës, që po zbatohet në Bashkinë Durrës, për të cilin në vitin 2016  janë buxhetuar 55 milionë lekë. Aktualisht, projekti për ndërtimin e 88 apartamenteve të fundit mbyllet në vitin 2017 dhe është i ndarë me dy seksione: seksioni me 44 apartamente që, ka mbaruar suvatimet e brendshme dhe seksioni tjetër me 44 apartamente ku ka mbaruar muratura dhe ka filluar me suvatimet e kateve të para.
  • Projekti “Zhvillimi i integruar dhe i qëndrueshëm i zonës bregdetare”, financuar nga Qeveria Gjermane nëpërmjet GIZ, për të cilin janë realizuar rreth 50 milionë lekë për vitin 2016 e që vazhdon deri në vitin 2019.

Për vitin 2017 janë planifikuar 93 milionë lekë për përfundimin e fazës së parë dhe fillimin e fazës së dytë të këtij projekti.  Qëllimi i këtij projekti është krijimi i një qasjeje të re të integruar për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit bregdetar, jugor duke u mbështetur në potencialet që ofron ky rajon. Rezultati do të jetë hartimi i një plani të integruar veprimi për rritjen e potencialit turistik, evidentimin e modeleve të partneritetit publik-privat si dhe krijimin e një strategjie për planifikimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të territorit me fokus krijimin e modeleve të suksesshme të konservimit urban dhe zhvillimit të turizmit.

  • Projekti “Hartimi i master-planit në fushën e mbetjeve” KFW, financuar nga Qeveria Gjermane, për të cilin janë parashikuar 7 milionë lekë për vitin 2016.  Për vitin 2017 janë parashikuar 40 milionë lekë për përfundimin e këtij projekti.
  • Projekti i financuar nga Banka Botërore “Zhvillimi i Integruar Urban dhe Turizmit”, zbatimi i të cilit fillon në vitin 2017, me një shtrirje pesë-vjeçare. Për këtë projekt Ministria e Zhvillimit Urban, si institucioni lider, ka planifikuar për vitin 2017 fondin prej 60 milionë lekë.

Në kuadër të zbatimit të politikave të zhvillimit rajonal, Qeveria Shqiptare ka përcaktuar rajonin bregdetar (Vlorë-Sarandë), si dhe zonën më në brendësi (Berat, Gjirokastër Përmet), si rajone prioritare që mbartin potenciale konkrete të trashëgimisë kulturore dhe natyrore, me qëllim stimulimin e zhvillimit të sektorit të turizmit si lokomotivë e rritjes së ekonomisë në nivel lokal, rajonal dhe kombëtar.

Objektivat kryesorë të këtij projekti janë: (i) përmirësimi i infrastrukturës urbane, (ii) përmirësimi i aseteve turistike dhe (iii) forcimi i kapaciteteve institucionale në zonat e përzgjedhura.

Brenda vitit të parë të marrjes së kredisë është parashikuar zbatimi i një sërë projektesh afatshkurtra si më poshtë vijon:

  1. Rehabilitimi i shkallareve në qendër të qytetit të Sarandës;
  2. Rehabilitimi i ndriçimit rrugor në qendrën historike të qytetit të Gjirokastrës;
  3. Rehabilitimi i rrugëve të aksesit automobilistik dhe këmbësor të kalasë së Beratit dhe pikës panoramike “Tabja” në kalanë e Beratit.
  4. Të tjera projekte, të cilat do të identifikohen dhe prioritizohen nga Qeveria Shqiptare.

Në fund të fjalës sime, do të doja të ndalesha shkurtimisht te mënyra se si do të disbursohet granti konkurrues për infrastrukturën vendore dhe rajonale në vlerën 9.5 miliardë lekë, i cili është kaluar nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve në buxhetin e Ministrisë që unë drejtoj.

Është fakt se, Fondi për Zhvillimin e Rajoneve, që prej vitit 2014, ka funksionuar si një strukturë e riformatuar, qoftë për nga pikëpamja financiare, por dhe në kuadër të gamës së gjerë të projekteve që mbështet.

Për periudhën 2014 – 2016 janë investuar rreth 28 miliardë lekë për zbatimin e 328 projekteve të infrastrukturës vendore (nga të cilat 126 projekte të miratuara në vitin 2014 – të; 105 projekte të miratuara në vitin 2015 – të dhe 97 projekte të miratuara në tre thirrjet e vitit 2016 – të) nga veriu në jug, nga bashkitë e mëdha e deri tek ato më të voglat të harruara prej kohësh.

Një nga prioritetet kryesore, për Qeverinë Rama, ka qenë dhe mbetet zhvillimi social dhe ekonomik i balancuar në të gjithë territorin e vendit. Programi Kombëtar i Rilindjes Urbane është një përkthim në terma real i këtij prioriteti që vjen si një risi në procesin e ndërhyrjes rehabilituese në territor, me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e ekonomive lokale, jetës sociale të komuniteteve dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve.

Në këto tre vite punë, intensive është dëgjuar edhe një retorikë negative nga ana e opozitës për investimet e kryera nga Programi Kombëtar i Rilindjes Urbane.

Cilido nga ne që ka rastin të udhëtojë në Shqipëri, do të shikojë një ndryshim pozitiv që kanë pësuar të gjitha qendrat urbane në territorin e vendit, për shkak të projekteve të zbatuara në këto dy vite. Ndryshime këto që kanë qenë integrale dhe të harmonizuara pa i humbur identitetin qyteteve tona.

Duke qenë se, janë plot 80 projekte nga të cilat 6 të miratuara në vitin 2015 dhe 74 të miratuara në vitin 2016, që vijojnë zbatimin edhe përgjatë vitit 2017, me fondet e alokuara në 2017, ne do të vijojmë me likuidimin e detyrimeve kontraktuale për këto projekte.

Gjithashtu, nga  programi për infrastrukturën vendore dhe rajonale me fond financimi për vitin 2017 në vlerën 9.5 miliardë lekë, do të financohet edhe programi “Shqipëria Dixhitale”, i cili përbëhet nga granti konkurrues për inovacionin dhe teknologjinë e komunikimit.

 

I nderuar Kryetar i Komisionit,

Të nderuar anëtarë,

Projektbuxheti i vitit 2017 është buxheti që do të garantojë realizimin me sukses të të gjitha reformave të premtuara në programin tonë qeverisës 2013 – 2017, si dhe në finalizimin me sukses të të gjithë projekteve të nisura e që priten të përfundojnë në vitin që vjen.

Ju faleminderit, 

Read More

Fjala e ministres Gjermeni në takimin me drejtuesit e 26 bashkive dhe studiot, për hartimin e planeve vendore

big_b-6Të nderuar kryebashkiakë,
Të nderuar përfaqësues të studiove vendase dhe të huaja,
E vlerësova të nevojshme t’ju ftoja përsëri në një takim të tillë, përpara se procesi i hartimit të këtyre instrumenteve të finalizohet, për të theksuar nevojën e përmbylljes me sukses të këtij procesi kompleks dhe patjetër, për të biseduar së bashku për ndonjë problematikë që mund të keni hasur, me qëllim përmirësimin e tyre në kohën e mbetur.
Objektivi final është që, ky proces të përmbyllet dhe të finalizohet brenda vitit 2016. Dhe lutem të keni parasysh se nuk bëhet fjalë thjesht për hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore, por edhe diskutimin e tyre në publik dhe miratimin në Këshillat Bashkiakë e më pas, miratimin në Këshillin Kombëtar të Territorit. Pra, në fund të këtij viti do të themi që kemi 26 bashki pas ndarjes së re territoriale, me 26 plane vendore të hartuara dhe të miratuara.
Jemi të ndërgjegjshëm që faza e parë e punës ishte e rëndësishme dhe jo shumë e lehtë nga të gjithë ju. Kam marrë letra dhe shqetësime edhe nga studio dhe ne jemi  munduar t’ju ndihmojmë sa i takon mbledhjes së informacionit. Kjo për faktin se fatkeqësisht në Shqipëri, jo gjithmonë kemi të dhënat statistikore të duhura apo informacione të sakta, të cilave mund t’u referohemi për PPV.
E vlerësoj shumë angazhimin dhe përkushtimin e bashkive,  stafeve teknike dhe të studiove që janë mundur fort edhe me asistencën tone, që të marrin informacion nga të gjitha institucionet dhe ta përmbyllin fazën e parë me sukses.
Tani jemi në momentin që në pjesën më të madhe të bashkive ku po hartohen planet vendore, po hartohen njëkohësisht edhe projektet strategjike për zhvillimin e këtyre planeve.
Për ne, ky është një moment kyç dhe duke mirëkuptuar faktin që hartimi i PPV u bë në një kohë relativisht të shkurtër, si dhe duke besuar fort se të gjitha dokumentet që ju keni draftuar duhet të diskutohen në publik me grupet e interesit, për të qenë pjesë e debateve, kemi vendosur shtyrjen prej 6 javësh të afatit për të dërguar për miratim këto draft – plane. Ky është maksimumi i mundshëm që ne mund t’ju ofrojmë, për hir të interesit publik dhe kjo për faktin se thjesht është detyrim ligjor, por sepse ne vërtet besojmë se procesi për hartimin dhe miratimin e këtyre planeve duhet të jetë gjithëpërfshirës, transparent dhe të paraqesë nevojat dhe interesat e qytetarëve.
Sigurisht, përgjegjësia për hartimin e PPV është e bashkive. Marrëveshja që kemi lidhur në janar të këtij viti është 3 – palëshe: jemi ne si Ministri, bashkitë dhe studiot, ndaj them se me këtë shtyrje afati, kemi plotësuar deri- diku nevojat bazuar në ngarkesën tuaj. Nuk kemi kohë për të humbur dhe duam që planet vendore të jenë produkte transparente dhe gjithëpërfshirëse, e t’u shërbejnë nevojave të qytetarëve.
Para pak javësh kemi miratuar në KKT tre plane kombëtare: Planin e Përgjithshëm Kombëtar të Territorit; Planin e Integruar Ndërsektorial të Bregdetit dhe Planin e Integruar Ndërsektorial të zonës ekonomike Tiranë – Durrës. Këto janë tre dokumente, të cilave duhet t’u referohemi në punën për planet vendore. Ato kanë fuqi ligjore, rregulla dhe orientime, standarde që do të shërbejnë si referenca mbi  të cilat zhvillohen edhe PPV.
Ministria e Zhvillimit Urban monitoron dhe koordinon procesin që planet vendore të jenë në konformitet të plotë dhe plotësuese të njëra – tjetrës, për të patur një përqasje të re, për sa i përket zhvillimit të kontrolluar të territorit, si një bazë e mirë për zhvillimin ekonomik – social të vendit.
Sa i takon planeve vendore, hallka që mbetet për t’u plotësuar tani në pjesën më të madhe të bashkive është diskutimi dhe miratimi në këshillat bashkiakë.
Pavarësisht situatës aktuale politike, me gjithçka po ndodh këto ditë me reformën në drejtësi , unë lutem që të mos e reflektoni këtë situatë në punën për përfundimin e planeve vendore. Ato janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e komuniteteve që ju përfaqësoni, janë baza për një zhvillim të  mirëmenaxhuar. Anëtarët e  këshillave bashkiakë duhet t’i bëni pjesë të procesit, të diskutimeve, që në momentin që planet vendore të prezantohen në këta këshilla, të keni mbështetjen dhe votën e tyre.
Ky është një moment kritik, në varësi të hartimit të planeve, prezantimit dhe diskutimit në publik dhe më pas miratimit në Këshillin Bashkiak të secilës bashki. Rëndësi ka që ky process, të ketë legjitimitet dhe të jetë i mirëpranuar edhe nga komuniteti edhe nga ne në KKT.
E gjithë përvoja juaj do t’i vlejë edhe bashkive që e kanë filluar më vonë këtë process, do të na shërbejë edhe ne si MZHU apo AKPT, për punën në vazhdim për bashkitë që duam t’i mbështesim në hartimin e planeve, vitin e ardhshëm. Për ne është me rëndësi, që ky procesi i nisur vitin e kaluar ka rezultuar me një punë të përbashkët të suksesshme.

Faleminderit!

Read More

Fjala e Ministres Gjermeni në Kuvend, për projektligjin “Programet Sociale të Strehimit”.

big_img-20160714-wa0002I nderuar Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar deputetë,

Sot, do të kërkoja votën e gjithësecilit prej jush për miratimin e ndryshimit në ligjin për Programet Sociale të Strehimit, i cili i jep të drejtën e pronësisë mbi shtëpinë dhe truallin 400 familjeve të shpërngulura në vitin 1994, për shkak të ndërtimit të Ujëmbledhësit të Bovillës.

Duke qenë se strehimi është një çështje me ndjeshmëri të lartë sociale dhe nisur nga problematikat që ne kemi hasur në ligjin aktual të strehimit, kemi nisur prej Marsit të këtij viti një proces të gjerë konsultimesh për rishikimin e tij.

Në fund të korrikut të këtij viti ne do të kemi të hartuar draftin e parë të ligjit të ri për Programet Sociale të Strehimit, i cili është produkt i një bashkëpunimi të frytshëm mes të gjithë palëve të përfshira nga ku do të veçoja të gjithë shoqatat që përfaqësojnë interesat e grupeve në nevojë, institucionet publike që adresojnë çështjet që lidhen me strehimin e këtyre kategorive, pushtetin vendor, Avokatin e Popullit, ekspertë të shoqërisë civile dhe donatorë.

Më duhet të theksoj, se falë ekspertizës ligjore dhe teknike të ofruar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, por dhe angazhimit të Ministrisë që unë drejtoj, garantojmë hartimin e një ligji të ri që i përgjigjet nevojave reale për strehim të kategorive në nevojë, falë një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës.

Por sot, po ndryshojmë vetëm një nen të këtij ligji.

Nisur nga moszgjidhja shumë vjeçare e çështjes së pronësisë mbi banesën dhe truallin për 400 familjet e shpërngulura, për shkak të ndërtimit të Ujësjellësit të Bovillës, nuk pritëm të përfundonim të gjithë procesin e rishikimit të ligjit në fjalë, por vendosëm që të sjellim për miratim në Kuvend ndryshimin e Nenit 39/1 të ligjit aktual për Programet Sociale të Strehimit që trajton pikërisht këto familje.

Pak histori se si për më shumë se 20 vjet kjo çështje nuk gjeti zgjidhje.

Në 2 mars të vitit 1994 qeveria e asokohe miratoi me Vendimin Nr. 85 të Këshillit të Ministrave, vënien në dispozicion të zonave ku do të shpërnguleshin familjet në fshatrat e Komunave Zall -Bastar dhe Cudhi, banesat dhe tokat e të cilëve u përmbytën për shkak të ndërtimit të Ujëmbledhësit të Bovillës. Në fakt, ky vendim nuk u zbatua asnjëherë, pasi zonat e caktuara si fond kompensimi për këto familje ishin tashmë të zëna nga ndërtimet pa leje.

Më 19 Qershor të vitit 1995, u miratua një tjetër Vendim i Këshillit të Ministrave, i cili parashikonte kompensimin dhe sistemimin e familjeve të shpërngulura nga ndërtimi i Ujëmbledhësit të Bovillës me banesë dhe truall me sipërfaqe 400 metër katrorë në fshatrat Zallmner, Bulcesh dhe Brurëz.

Lejomëni të sjell në vëmendjen tuaj, se kanë kaluar plot 22 vite dhe të 400 familjet e shpërngulura nuk janë ende pronare të ligjshme të strehës dhe truallit, të akorduar si fond kompensimi nga shteti.

Me të drejtë gjithësecili prej jush shtron pyetjen – Pse ende këto familje nuk janë pronarë të banesave të ndërtuara nga shteti dhe truallit të dhënë si kompensim?

Janë dy argumente, të cilat unë shkurtimisht dua t,i parashtroj para jush e që ezaurojnë përgjigjen e kësaj pyetje:

Së pari, organet e njësive të qeverisjes vendore, përgjegjëse për pajisjen e të 400 familjeve me dokumentacionin e pronësisë, nuk e kanë kryer detyrën e caktuar, për përfundimin e procedurave administrative të nevojshme, për kalimin e të drejtës së pronësisë mbi banesën dhe truallin e dhënë si kompensim për këto familje.

Së dyti, fenomeni i ndërtimeve informale që pllakosi si gangrenë në këto 20 e kusur vite të gjithë territorin, ka penguar përfundimin e procedurave ligjore për kalimin në pronësi të pasurive të paluajtshme në favor të këtyre 400 familjeve.

Mbas evidentimeve në terren të kryera nga punonjësit e ALUIZNI-t rezulton se pjesa më e madhe e ndërtimeve ku banojnë këto 400 familje, për shkak të devijimit nga projekti i miratuar konsiderohen ndërtime informale.

Propozimi që ne sjellim sot për miratim parashikon, përfshirjen e Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave dhe Ndërtimeve Informale, si institucioni i specializuar për ndjekjen e procedurave për legalizimin dhe kalimin e të drejtës së pronësisë për të gjitha familjet e shpërngulura nga ndërtimi i Ujëmbledhësit të Bovillës, pa shkaktuar as më të voglën kosto shtesë për buxhetin e shtetit, pasi e gjithë procedura do të ndiqet nga vetë punonjësit e ALUIZNI-t.

Lajmi i mirë për këto 400 familje është se mbas shumë vitesh sorollatje, në zyra dhe institucione publike, falë këtij ndryshimi ligjor do të jenë pronarë të ligjshëm të banesës dhe truallit të akorduar me letra në vitin 94, por që u deshën plot dy dekada për tu bërë realitet.

Doja të falënderoja për bashkëpunimin dhe mbështetjen të gjithë anëtarët e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese.

Të nderuar kolegë deputetë,

Në seancën e rradhës na pret një sfidë e përbashkët që tejkalon egon e gjithësecilit prej nesh, pasi vendimi që ne do të marrim paracakton drejtimin nga ku do të shkojë vendi.

Reforma në drejtësi është jetike për të ardhmen demokratike të Shqipërisë.

Paanshmëria dhe pavarësia në vendimmarrje nga sistemi i drejtësisë është gurëthemeli, që garanton barazinë para ligjit dhe rrit besueshmërinë e qytetarëve ndaj institucioneve ligj zbatuese.

Reforma në drejtësi nuk është vetëm një premtim i Partisë Socialiste në programin e saj qeverisës 2013 – 2017, por është përkthimi i kërkesës së të gjithë qytetarëve shqiptarë, për të parë te organet e drejtësisë zbatimin e të drejtës së munguar ndër vite.

Reforma në drejtësi është një premtim që duhet mbajtur ndaj qytetarëve shqiptarë, të cilët duan një sistem drejtësie që jep drejtësi për një Shqipëri që aspiron integrimin në familjen Evropiane dhe i ofron shtetasve të saj barazi para ligjit.

Nisur nga sa më lart uroj shumë, që në seancën që vjen të fitojë zëri i qytetarëve dhe jo egoja e politikanëve, e drejta mbi të padrejtën, pavarësia e institucioneve nga kapja e tyre, demokracia dhe shteti ligjor mbi anarshinë dhe vendimet e njëanshme, që cenojnë parimet e demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Ju faleminderit!

Për fjalën e plotë në kuvend kliko këtu

Read More