Deklarata për shtyp

Ministrja Gjermeni në deklaratë për shtyp, lidhur me vendimet e KKT-së për miratimin e 11 Planeve të Përgjithshme Vendore.

 

kkt-1

Sot u miratuan në Këshillin Kombëtar të Territorit, planet e përgjithshme vendore për 11 bashki. Lajmi i mirë për qytetarët e të 11 bashkive, Krujë, Kukës, Gjirokastër, Urë Vajgurore, Skrapar, Poliçan, Cërrik, Librazhd, Kurbin, Divjakë dhe Korçë është se, miratimi i planeve u ofron mundësinë e të jetuarit në territore, zhvillimi i të cilave nuk do të udhëhiqet më nga dëshira e një individi, por nga një vizion zhvillimi.

Ndaj dhe ne, prej fillimit të punës tonë ndoqëm një proces model të bashkëveprimit dhe komunikimit me qytetarët dhe grupet e interesit në të gjitha këto bashki, duke i bërë pjesë të kësaj pune njëvjeçare.

Është një angazhim i mbajtur i kësaj Qeverie që, përtej ofrimit të mbështetjes teknike dhe financiare për këto bashki, në hartimin e planeve vendore, të krijonim edhe një platformë komunikimi me qytetarët dhe grupet e interesit, duke i bërë pjesë të vendimmarrjes për zhvillimin e bashkisë ku jetojnë.

Vlen të theksohet se, zhvillimi i territorit nuk udhëhiqet më nga mendësia e “zapto një sipërfaqe tokë e ndërto çfarë të duash e si të duash”, por nga instrumente planifikimi që shërbejnë si udhërrëfyes të zhvillimit urban, investimeve dhe ndërtimit.

Falë këtyre instrumenteve të rëndësishëm, që përcaktojnë vizionin dhe rregullat për një zhvillim të qëndrueshëm të territorit të këtyre bashkive, në respektim dhe mbrojtje të tokës, mjedisit dhe trashëgimisë kulturore, ne sigurojmë qëndrueshmëri dhe rritje të vlerës së investimit për qytetarët dhe sipërmarrësit.

Janë 16 bashki (nga të cilat 5 bashki Lushnjë, Berat, Kuçovë, Elbasan dhe Fier të mbështetura nga Programi i USAID për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore) që kanë tashmë plane vendore.

Në 15 bashki të tjera, ky proces është drejt finalizimit dhe dorëzimit të planeve për miratim në Këshillin Kombëtar të Territorit.

Ndërkohë që, brenda këtij viti, numri total i bashkive që do të kenë të hartuar dhe miratuar planet e përgjithshme vendore do të jetë 43 nga 61 bashki (për vitin 2017 me buxhetin e shtetit do të mbështeten 7 bashki Përmet, Këlcyrë, Kolonjë, Gramsh, Belsh, Pukë dhe Mirditë, ndërsa nga Programi i qeverisë Zvicerane për Decentralizimin dhe Zhvillimin Lokal po mbështeten 5 bashki në veri të vendit Tropojë, Malësi e Madhe, Mat, Klos dhe Vau i Dejës).

Sigurisht që, puna për hartimin e planeve të përgjithshme vendore nuk është kontribut i dhënë nga një ministri apo nga një institucion, por është produkt i një bashkëpunimi të vazhdueshëm me stafet e bashkive, ekspertë të planifikimit vendas dhe të huaj, donatorë dhe organizata ndërkombëtare.

Vizioni ynë, qoftë në kuadër të planifikimit në nivel kombëtar por edhe vendor, nuk është për të shfrytëzuar maksimalisht burimet që ka vendi sot për sot, por për t’i vendosur ato në shërbim të rritjes së ekonomisë dhe mirëqenies së qytetarëve, duke i ruajtur si asete të vyera të trashëgimisë tonë.

Kjo punë e nisur është vetëm fillimi i mbarë i një procesi të vazhdueshëm që, në fakt simbolizon fundin e dy dekadave tranzicion, sa i përket zhvillimit të territorit.

Mbas reformës administrative territoriale që është alfa për miradministrimin e territorit, hartimi i instrumenteve vendore të planifikimit, është çelësi që garanton zhvillim të integruar, mirëplanifikim në administrimin e tokës dhe burimeve, e mbi të gjitha kohezion social dhe rritje ekonomike.

Ky rezultat në fakt, brenda një mandati qeverisës është një arritje shumë pozitive, e cila do i vijë në ndihmë këtyre bashkive për të punuar me një qasje tërësisht të re e të rregulluar për administrimin dhe zhvillimin e territorit.

I gjithë procesi është monitoruar dhe asistuar rigorozisht nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, që ka përballuar një volum të madh pune në një kohë të shkurtër.

Për të mbërritur deri këtu, procesi ka qenë tejet kompleks edhe për faktin se, një proces në të tilla përmasa ndodh për herë të parë, por edhe për shkak të zhvillimeve kaotike dhe të pakontrolluara urbane në territor.

Dua të falënderoj bashkitë dhe studiot që kanë punuar me ne, për finalizimin e këtij procesi me sukses.

Më duhet të ritheksoj edhe njëherë mesazhin për bashkitë që të jenë shumë të kujdesshme dhe të respektojnë me përgjegjshmëri zbatimin e planeve, të cilat i kanë hartuar vetë.

Sfida që kemi përpara, tani fill pas miratimit,  do të jetë monitorimi dhe nxitja për zbatimin e këtyre instrumenteve, për të garantuar që zhvillimi urban, ekonomik dhe social, të jetë sa më i qëndrueshëm.

Mbetem besimplotë se frutet e këtij procesi dhe zbatimi i planeve vendore, do të sjellë impakt shumë të prekshëm për qytetarët dhe grupet e biznesit, si dhe padyshim do të lehtësojë bashkitë për të operuar normalisht me procedurat e lejeve të zhvillimit, mbështetur në instrumente planifikimi të ligjëruara.

 

Ju faleminderit!

Read More

Deklaratë e ministres, Eglantina Gjermeni pas takimit me Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës

 

eb-2

Me vjen shumë mirë të them që bashkëpunimi i nisur që prej prillit të 2014-tës me Ministrinë e Zhvillimit dhe Planifikimit hapësinorë të Kosovës është një nga bashkëpunimet që ka nisur me rezultate konkrete.

Dua të theksoj që, është një nga marrëveshjet e para që Ministria e Zhvillimit Urban ka krijuar në 2013, realizoi me këtë ministri, duke e parë atë si një platformë të përbashkët pune, duke bashkëpunuar në fushën e planifikimit të territorit në nivel kombëtar, në nivel vendor, në fushën e strehimit, në fushën e standardeve urbane, në fushën e legalizimit e urbanizimit.

Grupet e punës, grupet teknike, stafet e caktuara kanë shprehur nevojat,  sidomos për sa i përket çështjeve apo fushave në të cilat kjo ministri ka qenë  më e avancuar në fushën e planifikimit. Jemi sot për një program pune konkret, për vitin 2017, duke bërë dhe një bilanc dhe një reflektim të punës që kemi bërë nga 2014-ta, deri tani dhe grupet teknike  do të bashkohen për ta konkretizuar këtë kalendar pune. Ramë dakord me kolegun që,  bashkëpunimi do të vazhdojë të konsistojë në fushat përkatëse, por konkretizimi do bëhet në nivel kombëtar, duke theksuar se Kosova e ka një plan kombëtar të territorit prej shumë vitesh, të hartuar dhe tani po bën rishikimin e tij, ndërkohë që ne e hartuam një plan të Përgjithshëm të Territorit vetëm vitin e kaluar.

Kështu që, ndarja e përvojës, si është zbatuar, si është monitoruar Plani Kombëtar cilat kanë qenë sfidat dhe si po rishikohet tashmë në Kosovë,  është në fakt edhe një platformë pune për sa i përket punës tonë si ministri dhe Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit në fushën e planifikimit kombëtar. Po kështu për sa i përket planifikimit në nivel vendor duke qenë se, tashmë ne kemi një përvojë, shumë bashki që i kemi mbështetur,                  26 bashki që i kemi mbështetur ne si Qeveri dhe 10 bashki të tjera që po mbështeten nga donatorët, duam që stafet teknike ta shkëmbejnë përvojën për sa i përket planifikimit në nivel vendor dhe si mund të mësojmë nga njëri tjetri.

Fusha e strehimit ngelet një fushë e cila kërkon një intensitet më të madh bashkëpunimi, më vjen shumë mirë që ne kemi një strategji të strehimit social, të miratuar vitin e kaluar, tashmë po finalizojmë draftin e një ligji të ri për strehimin social, këtu do të ndajmë përvojën duke qenë se kjo ministri është në procesin e finalizimit, në fakt të rishikimit të një ligji për strehimin social, përvoja, programet tona sociale të strehimit, mund të jenë një përvojë e mirë, ndërkohë do të diskutojmë të dyja palët për sa i përket partneritetit publik-privat në fushën e strehimit.

Standardizimi dhe licencimi i profesionistëve , standardet e ndërtimit në përgjithësi, janë një fushë e cila ne kemi pak më shumë përvojë, kemi parë  standardet e ndërtimit që i kishin hartuar 30 vite më parë dhe këtu jemi të gatshëm të ofrojmë përvojat, po kështu edhe te licencimi duke qenë se ca  profesionistë,  duke qenë se kjo është një përvojë konkrete dhe do ta ndajmë së bashku

Ramë dakord që të dy ministritë do të nxjerrin produkte konkrete sidomos për sa I përket projekteve ndërkufitare dhe duke aplikuar në projektet e përbashkëta të Bashkimit Europian. Them që kjo platformë e përbashkët pune, gjatë këtij viti, do të konkretizohet me produkte konkrete, dhe kalendari i cili po finalizohet nga grupet teknike.

Read More

Deklarata për shtyp e Ministres Gjermeni, pas mbledhjes së Qeverisë.

 

big_jpg-7

Këshilli i Ministrave miratoi sot projektvendimin “Për përcaktimin e rregullave të legalizimit të objekteve me leje ndërtimi, në të cilat janë kryer shtesa anësore ose në lartësi ose ndryshime të funksionit të hapësirave dhe të objekteve shumëkatëshe pa leje, të destinuara për kalimin e së drejtës së pronësisë apo qiradhënien”.
Ky projektvendim u hartua nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe ALUIZNI,   në zbatim te neneve 36 dhe 43/1 të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.
Deri më sot janë kryer 110 mijë legalizime, 90 mijë vetëm në vitet 2014 – 2016 ose thënë ndryshe, 5 herë më shumë se në tetë vitet e qeverisjes së mëparshme. Megjithatë, egziston një kategori qytetarësh, të cilët nuk kanë mundur të përfitojnë  nga ky angazhim madhor i Qeverisë.
Sipas të dhënave që kemi janë rreth 30 mijë familje në Republikën e Shqipërisë, të cilat jo për faj të tyre, nuk kanë mundur të marrin hipotekën e pronës ku jetojnë. Në të gjithë vendin numërohen rreth 1 320 pallate që preken nga ky vendim, 700 prej të cilave janë në territorin në administrim të bashkisë së Tiranës.
Këto familje, edhe pse e kanë blerë pronën në mirëbesim, nuk janë bërë pronarë, për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve ligjore nga ana e ndërtuesve.
Pra, qytetarët, të cilët kanë shlyer detyrimet e tyre financiare ndaj ndërtuesve të pallateve, nuk mund të penalizohen prej këtyre ndërtuesve, të cilët nuk kanë respektuar rregullat apo detyrimet ligjore.
Ndaj ky vendim, i miratuar sot nga Qeveria i jep zgjidhje përfundimtare kësaj problematike të mbartur në vite dhe bën të mundur legalizimin e pronave për këto  familje.
Nga njëra anë rregullohet e drejta e regjistrimit të banesave nga individët që i kanë blerë, dhe nga ana tjetër synohet vjelja e të gjitha detyrimeve financiare nga ndërtuesit dhe investitorët.
Ligjërimi i pronës nëpërmjet këtij vendimi, bën të mundur   disponimin dhe qarkullimin e saj në tregun e lirë. Në aspektin ekonomik pritet të ketë një ndikim pozitiv në financat e këtyre familjeve si dhe në financat e njësive të qeverisjes vendore dhe buxhetit të shtetit.
Me gjithë vështirësitë e hasura, për shkak të problematikës së mbartur, Ministria e Zhvillimit Urban dhe ALUIZNI  mbeten plotësisht të angazhuar për finalizimin e procesit të legalizimit .
Në funksion të kësaj ecurie, që prej vitit 2014, MZHU ka ndërmarrë 4 nisma ligjore të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, si dhe 24 vendime të Këshillit të Ministrave, një prej të cilave sapo u miratua.

Read More

Deklaratë e Ministres Eglantina Gjermeni:“Të bësh biznes”, thjeshtimi i procedurave për lejet e ndërtimit reforma më e vlerësuar

 

doing_busines

Dje u publikua raporti i përvitshëm i Bankës Botërore “Të bësh biznes 2017”, që e rendit Shqipërinë të 58-tën ndër 190 ekonomi të botës, duke lënë pas disa vende të rajonit. Zhvendosja prej 32 vendesh, krahasur me një vit më parë,  është një tjetër konfirmim pozitiv për politikat qeveritare në këto tri vite që kanë synuar vendosmërisht përmirësimin e klimës së biznesit në vend.  Njëri prej 10 treguesve që përdoren nga Raporti për të matur klimën e biznesit të ekonomive në shqyrtim, është edhe ai i lejeve të ndërtimit.

 

Jam veçanërisht e kënaqur, që reforma për thjeshtimin e procedurave të dhënies së lejeve të ndërtimit ka bërë që, nga vendi i fundit në renditjen e dy viteve më parë,  të kemi rikuperuar 83 vende.  Në këtë raport të fundit të Bankës Botërore, kjo reformë është më e vlerësuara.

 

3 vjet më parë, për marrjen e një leje ndërtimi, qytetarët dhe bizneset duhet të endeshin zyrë më zyrë, në kërkim të një vule dhe me dosje të mbingarkuar dokumentesh në dorë. Përgjigja vinte vonë ose kurrë.

 

Asokohe, sekretariati i Këshillit Kombëtar të Territorit ishte një institucion që funksiononte pa rregulloret përkatëse, për poasojë nuk aplikoheshin procedura të sakta dhe të qarta mbi dokumentacionin dhe raportet e vlerësimit për çdo aplikim për leje zhvillimore, duke i hapur rrugën shpesh vendimeve klienteliste dhe shkeljes së ligjeve në fuqi.

 

Ministria e Zhvillimit Urban, 36 muaj më parë, nisi punën në bashkëpunim me projektues, ndërtues dhe përfaqësues të pushtetit vendor, për përmirësimin e legjislacionit në fushën e lejeve të ndërtimit dhe thjeshtimin e procedurave në këtë sektor.

 

Prej 1 shtatorit të këtij viti, sistemi elektronik i lejeve të ndërtimit është i detyrueshëm, për të gjithë, qytetarët dhe profesionistët e licensuar, të cilët duhet të aplikojnë  online në portalin e-Albania për t’u pajisur me leje ndërtimi. Procesi i ngritjes se sistemit elektronik është lehtësuar falë bashkëpunimit rajonal të ngushtë me vendet e rajonit, kryesisht me shoqatën e bashkive të Maqedonisë (ZELS) dhe asistencës së GIZ me ekspertizë teknike.

 

Sistemi elektronik i lejeve siguron realizimin e shërbimit me një ndalesë për lejet e ndërtimit (One Stop Shop), ku aplikimi i dërgohet bashkisë dhe bashkia kryen vetë – përmes sistemit – të gjithë bashkërendimin me institucionet e tjera publike.

 

Në këtë mënyrë, thjeshtuam shumë procedurat dhe dokumentat për t’u pajisur me leje ndërtimi dhe përcaktuam afate të qarta dhe shumë më të shkurtra për shqyrtimin e aplikimeve.

 

Më lejoni t’ju bëj me dije se dy muaj pas fillimit të funksionimit, në sistemin online për aplikim për leje ndërtimijanë të lidhura 61 bashki, 19 ministri dhe 15 institucione publike, qendrore dhe vendore.

Sot, një ditë pas publikimit të raportit “Të bësh biznes” janë duke u procesuar nga bashkitë, përmes këtij sistemi 175 aplikime për leje.

 

Dua të sjell edhe një herë në vëmendjen tuaj, të nderuar përfaqësues të medias si dhe të qytetarëve, të bizneseve dhe profesionistëve se, sistemi elektronik i lejeve të ndërtimit:

  • rrit përgjegjshmërinë e autoriteteteve publike;
  • llogarit afatet e përgjigjes për secilën prej institucioneve;
  • shmang sorollatjen e qytetarëve në zyra publike, si dhe
  • rrit transparencën ndaj qytetarëve, duke i informuar ata vazhdimisht për çdo ndryshim të statusit të aplikimit, si dhe për çdo vendim apo përgjigje që lëshohet gjatë shqyrtimit të aplikimit të tij.

 

Gjithashtu, edhe reformat e ndërmara në fushën e planifikimit kombëtar e vendor janë një garanci e madhe për investime strategjike të qëndrueshme dhe përmirësimin e klimës së biznesit. Në nivel kombëtar tashmë kemi të miratuara në Këshillin Kombëtar të Territorit Planin e Përgjithshëm Kombëtar, Planin Ndërsektorial për Bregdetin dhe Planin për Zonën Ekonomike Tiranë-Durrës. Ndërsa në nivel vendor, shumë shpejt do të hynë në fuqi edhe Planet e Përgjithshme Vendore për 31 Bashki të vendit.
Këto platforma, të hartuara dhe ligjëruara në nivel kombëtar dhe vendor do të shërbejnë si instrumenta strategjike dhe orientuese për të dhënë garanci maksimale, që investimet nga grupet e biznesit dhe qytetarët të jenë të qëndrueshme dhe afatgjata. Duke falenderuar të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces,  specialistët e Ministrisë së Zhvillimit Urban, të Agjencisë Kombëtare të Zhvillimit të territorit, të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, stafet e 61 bashkive të vendit dhe të ministrive të linjës – dëshiroj të shpreh angazhimin  tonë sa i takon përmirësimit të treguesit të lejeve të ndërtimit.

Read More

E vërteta për Platformën e Komunikimit të Planeve

 

akpt

Pas publikimit në portalin Hashtag, e nëpërmjet tij në disa media sociale të artikullit: Sheikët e qeverisë, 517 mijë euro për të realizuar…5 projekte, po respektojmë detyrimin moral për të informuar qytetarët shqiptarë mbi të vërtetën e Platformës së Komunikimit, të ndërrmarrë nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT).

Një ndër prioritetet e qeverisë në fushën e zhvillimit urban është edhe hartimi i planeve kombëtare të territorit. Në këtë kuadër, AKPT-së i është alokuar një fond nga buxheti i shtetit për hartimin e tre planeve. Sipas ligjit të planifikimit dhe zhvillimit të territorit, komunikimi me publikun dhe dëgjesat publike janë detyrim për institucionet hartuese, gjatë procesit të hartimit të planeve dhe përpara finalizimit të tyre. Planifikimi i territorit kombëtar dhe vendor, janë procese të reja të cilat kanë nevojë për një sensibilizim të lartë publik dhe për këtë arsye, nga AKPT është konceptuar një proces komunikimi me publikun, nëpërmjet mediave, për një periudhë 10 mujore. Ky komunikim ka filluar në Nëntor 2015 dhe do të vazhdojë deri në Shtator 2016.

Komunikimi dhe sensibilizimi i publikut për planifikimin e territorit dhe për tre planet kombëtare, përfshin konceptimin e pesë programeve prezantuese të planeve, prodhimin dhe shfaqjen e nje serie me spote sensibilizuese dhe informuese. Platforma e komunikimit, përveç prodhimit të programeve dhe spoteve përfshin edhe blerjen e kohës televizive. Materialet sensibilizuese dhe informuese, kanë filluar të shfaqen dhe do të vijojnë të shfaqen në 6 kanale televize, 3 radio dhe platforma online të ndryshme.

Platforma e komunikimit publik, përfshin shfaqjen e 27 spoteve televizive dhe radiofonike, në një shtrirje kohore 10 mujore, dhe një kohëzgjatje rreth 82,000 sekonda televizive dhe 46,800 sekonda radiofonike. Kësisoj koha për transmetimin e këtyre spoteve përfshihet mes të tjerash në buxhetin e përcaktuar për platformën, bashkë me konceptimin dhe prodhimin e 5 programeve prezantuese për 3 planet.

Procesi nëpërmjet të cilit është ndërtuar komunikimi sensibilizues dhe informues në kuadër të hartimit të planeve kombëtare, është bërë në mbështetje të nenit 16, pika 2, të Ligjit Nr. 107/2014 “Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit” i ndryshuar, nenit 7 pika b të Ligjit Nr.9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik” i ndryshuar, VKM nr.1195 datë 05.08.2008 “Për blerjen, zhvillimin, prodhimin e bashkëprodhimin e programeve a të reklamave për trasmetim nga operatorët radiotelevizivë ose botim në mediat e shkruar, dhe për kontratat, për kohë trasmetimi, nga organet e administratës shtetërore”.

Në bazë të Ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, i ndryshuar, “Për Prokurimin Publik”, neni 7, pika b), “Përjashtimet e veçanta”, në të cilën thuhet:

Ky ligj nuk zbatohet në kontratat e shërbimit publik për:

b) blerjen, zhvillimin,prodhimin, bashkëprodhimin e programeve ose të reklamave për transmetimin nga operatorët radiotelevizive ose botimin në median e shkruar dhe për kontratat për kohë transmetimi.

Në bazë të VKM-së nr. 1195, kjo procedurë nuk mbart detyrimin e publikimit në buletinin e APP-së.

Shifra e saktë e fondit të akorduar për Platformën e Komunikimit është tërësisht transparente dhe gjendet lehtësisht në faqen online të Ministrisë së Financave në zërin “Pagesa të Kryera nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Financiare”. Ky fond nuk është aq sa përmendet në artikullin dhe aq më teper “i dyshimtë” pasi çdo veprim është bazuar në ligjet e shtetit shqiptar dhe konform procedurave transparente.
Gara për përzgjedhjen e kompanisë fituese që ka punuar për Platformën e Komunikimit, e cila do të jetë në shfaqje deri në Shtator të vitit 2016, ka qenë e hapur dhe fituesi është përzgjedhur sipas ofertës teknike më të mirë dhe ofertës ekonimike më të ulët, mes ofertave të prezantuara, në konformitet total me Ligjin Nr.9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik” i ndryshuar, VKM nr.1195 datë 05.08.2008 “Për blerjen, zhvillimin, prodhimin e bashkëprodhimin e programeve a të reklamave për trasmetim nga operatorët radiotelevizivë ose botim në mediat e shkruar, dhe për kontratat, për kohë trasmetimi, nga organet e administratës shtetërore”.

Read More

Njoftim për krijimin e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit

 

njoftim_f

Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, të datës 2 shtator,  u miratua Vendimi i Këshillit të Ministrave për krijimin e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit.

Ky institucion i ri do të jetë në varësi të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe do të veprojë si Sekretariati Teknik i Këshillit Kombëtar të Territorit.

Në këtë cilësi, struktura e re do të administrojë gjithë procesin e aplikimit për leje ndërtimi që kërkojnë miratim nga Këshilli Kombëtar i Territorit, sipas parimit të shërbimit me një ndalesë (one stop shop), duke ndjekur praktikën e kërkesës për leje në çdo zyrë të administratës publike, nga fillimi deri në marrjen e miratimit nga KKT.  Do të jetë kjo strukturë, e cila mbas kërkesës së depozituar nga investitori, do të ndjekë vetë të gjithë procedurën për pajisje me leje ndërtimi, duke bashkërenduar me të gjitha institucionet shtetërore për marrjen e dokumentacioneve të ndryshme, të nevojshme për pajisjen me leje zhvillimore.

Kjo do të thotë se,  do të ketë një përshpejtim dhe eliminim të dukshëm të burokracisë  dhe vonesave në shqyrtimin e këtyre kërkesave. Agjencia e re dhe shërbimi që do të ofrojë, do të sjellë efekte të menjëhershme në shkurtimin e afateve për marrjen e lejes zhvillimore.

Nga ana tjetër, Agjencia do të monitorojë respektimin e detyrimeve ligjore në dhe gjatë procesit të dhënies së lejeve të ndërtimit nga bashkitë, nëpërmjet monitorimit të aplikimeve për leje ndërtimi.

Monitorimi i lejeve të ndërtimit dhe rrjedhimisht, i zhvillimeve në territor, do të kryhet përmes sistemit elektronik të aplikimit të lejeve të ndërtimit, që do të implementohet mbi bazën e konceptit “One Stop Shop”.

Me ngritjen e sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit,  që parashikohet të përfundojë brenda fundit të këtij viti, çdo qytetar apo shoqëri tregtare do të ketë mundësinë të aplikojë dhe kontrollojë statusin e aplikimit të tij për leje ndërtimi direkt nga kompjuteri i shtëpisë a i zyrës që ka një lidhje internet, duke eliminuar zvarritjet nëpër zyrat e Shtetit dhe duke rritur transparencën e administratës publike ndaj çdo qytetari. Kuptohet, që paralelisht me mundësinë e aplikimit online, qytetarët do të vazhdojnë të kenë mundësinë, në alternativë, t’i drejtohen sportelit të lejeve pranë bashkive përkatëse.

Me ngritjen e strukturës së re dhe sistemit elektronik të lejeve, do të kemi një instrument që do të sjellë përshpejtimin dhe transparencën e procedurave për shqyrtimin dhe dhënien e lejeve të ndërtimit por dhe do të garantojë një zhvillim të kontrolluar dhe miradministruar, të territorit.

Read More

Deklaratë për shtyp e Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-it, Artan Lame, mbi “Legalizimin e ndërtimeve pa leje nga institucionet shtetërore”

 

lame_3

Deklarata:
“Siç e dinë tashmë të gjithë shqiptarët, në fund të muajit Janar 2015 u mbyll procesi i vetdeklarimit të ndërtimeve pa leje në rang Republike.
Ky ka qenë procesi më shterues dhe i përgjegjshëm i zbatuar deri tani, proces i cili u shoqërua me angazhimin dhe pjesëmarrjen e ndërgjegjshme edhe të qytetarëve të interesuar, të cilët duke patur besim tek shteti dhe qeverisja u përfshinë në proces.
Siç është bërë e ditur nga ne, ky proces prodhoi një shifër prej rreth 427.000 ndërtimesh pa leje, të shtrira nga pikëpamja hapsinore, në të gjithë territorin e Republikës dhe, nga pikëpamja kohore, duke filluar që prej vitit 1991 e deri në vitin 2014.
Paralelisht me këtë proces dhe përpara tij, ne filluam procedurat për përfshirjen në procesin e legalizimeve edhe të objekteve publike shtetërore apo vendore, që kishin kryer ndërtime pa leje.

Për këtë qëllim, që në datën 25.06.2014 i kërkuam në mënyrë kapilare të gjithë institucioneve publike të vendit të shpreheshin nëse kishin ndërtime apo shtesa ndërtimesh pa leje, të cilat natyrisht kishin nevojë për legalizim.

Pas përpunimit të të dhënave, rezultonte se janë disa qindra institucione shtetërore publike të cilat përgjatë viteve kanë ndërtuar pa leje.

Është e paimagjinueshme që një shtet të ndërtojë pa leje, në një kohë që ka ligje që dënojnë qytetarët që e bëjnë një gjë të tillë, për më tepër kur ka bërë edhe ligje për legalizimin e ndërtimeve pa leje.

Por e keqja, për fat të keq, nuk mbaroi këtu.

Në qoftë se një pjesë e këtyre institucioneve, vërtet kanë ndërtuar pa leje por më pas u përfshirë në procesin e vetdeklarimeve dhe të legalizimeve, rezultojnë edhe një numër shumë i madh institucionesh të cilat, me gjithë shpalljen publike të procesit të legalizimeve dhe, me gjithë kërkesën me shkrim të bërë direkt ndaj tyre, nuk e bën kabull t’i nënshtrohen ligjeve të shtetit.

Në këtë listë ka institucione që variojnë që nga ato të administratës qendrore, ministri, institucione varësie, agjenci, institucione arsimore, drejtori rajonale, duke vazhduar pastaj me institucione të qeverisjes vendore, komuna e bashki.

Unë nuk e kuptoj se si një bashki që lëshon ajo vetë lejet e ndërtimit, të ndërtojë vetë pa leje!!!

Lista jonë e sotme nuk është shteruese, pasi ende vazhdojmë të mbledhim të dhëna, por është e domosdoshme të tërheqim vëmendjen mbi situatën.

Përfshirja në procesin e vetdeklarimit të institucioneve shtetërore, ka të bëjë me disa faktorë;

E para, askush nuk mund t’i kërkojë llogari të tjerëve duke mos qenë vetë në rregull.

E dyta, ky proces do të kishte edhe një funksion edukativ për të shmangur arrogancën e shtetit, që për fat të keq ndonjëherë e konsideron veten zbatues të ligjit, por duke qenë vetë mbi ligjin.

E treta, ashtu si qytetarëve që kanë ndërtuar objekte social-ekonomike (jo shtëpi banimi), ju kërkohet të paguajnë disa detyrime ligjore, edhe çdo institucion tjetër publik është i detyruar që t’i kryejë këto pagesa.

E katërta, përfshirja në procesin e legalizimeve do të mundësonte formalizimin e këtyre pronave dhe më tej, regjistrimin e tyre të ligjshëm pranë ZRPP-së.

Praktikisht i bie që pa këtë proces, ose këto prona mbeten të paregjistruara dhe do të kishim një shtet që nuk regjistron as pronat e veta, ose do të regjistroheshin në rrugë jo ligjore dhe do kishim një shtet që shkel ligjin sërisht haptazi.

E pesta, çdo veprim dhe investim i bërë në këto prona, tenderim, etj., i bie të jetë bërë dhe bëhet gjithashtu i paligjshëm, sepse kemi një ligj për planifikimin e territorit i cili detajon mënyrën e dhënies së lejeve të ndërtimit.

Të gjendur përpara kësaj situate, unë i bëj thirrje edhe një herë, tashmë jo mijëra qytetarëve që ju bindën ligjit, por institucioneve shtetërore, që ta zbatojnë atë.

Ne do të bëjmë një ndryshim në aktet nënligjore për ta mundësuar një gjë të tillë, por është e domosdoshme që edhe këto institucione të mos bëjnë asgjë më shumë se sa zbatimin e detyrimeve ligjore.
Ju faleminderit!
DREJTORI I PERGJITHSHEM
ARTAN LAME

Listen e subjekteve shteterore qe nuk kane bere deklarimin e gjeni ketu;

www.aluizni.gov.al

Read More

Deklaratë për shtyp e Drejtorit të Përgjithshem të ALUIZNI-t, z.Artan Lame për legalizimin e ndërtimeve në zonat turistike

 

lame

AGJENSIA E LEGALIZIMIT, URBANIZIMIT DHE INTEGRIMIT TE ZONAVE/NDERTIMEVE INFORMALE

DEKLARATE SHTYPI

Një nga dështimet më të dukshme të politikave ekonomike në këtë vend në gjithë këtë çerek shekulli, është edhe dështimi jetëgjatë i zhvillimit të zonave të stimuluara turistike në bregdetin shqiptar.

Ligji i miratuar për këtë gjë në vitin 1993, ai “Për zhvillimin e zonave që kanë perparësi turizimin”, në vend që të krijonte struktura turistike pritëse të organizuara, degradoi vit pas viti thjesht në ndërtimin e apartamenteve që u shiteshin më pas qytetarëve të veçantë.

Ky proces krijoi një situatë absurde ku, nga njëra anë shteti njihte vetëm pak qindra subjekte të cilëve u kishte dhënë të drejtën të ndërtonin fshatra dhe struktura turistike, që nuk funksionuan asnjëherë dhe, nga ana tjetër ishin mijëra e mijëra qytetarë që i kishin blerë këto apartamente, por pa pasur asnjë të drejtë ligjore mbi to.

Në vitin 2009, qeveria e atëhershme ndërmorri një nismë ligjore për zgjidhjen e këtij ngërçi shumë-vjecar, nismë si çdo gjë që bënte ajo qeveri, që edhe gjërat e mira i bënte keq. Nisma ligjore e vitit 2009, kishte për qëllim që të krijonte mundësinë që përmes shitjes së truallit subjekteve ndërtuese, t’i jepte mundësi qytetarëve që kishin blerë apartamente ne bregdet, të ligjëronin pronën e tyre.

Për fat të keq, nga ligji i vitit 2009 ja dolën të përfitonin vetëm fare pak subjekte ato të lidhura direkt me pushtetin, që përmes atij ligji mundën ti blinin këto troje.

Nëse ju kujtohet Sali kur mallkonte “vaskat e florinjta” të vilave të bregdetit, në fakt ju krijoi mundësi që me ligjin e vitit 2010 të blinin truallin dhe të legalizoheshin shpejt e shpejt vetëm vaskat e florinjta, ndërsa mijëra qytetarë të tjerë me vaskat prej llamarine dhe ata pa vaskë fare, nuk patën mundësi të rregullonin gjëndjen juridike të apartamenteve të tyre.

Sipas verifikimeve tona, rezulton se një pjesë e madhe e subjekteve ndërtues dhe qytetarëve të interesuar, nuk kanë mundur të bëjnë vetëdeklarimet brenda afateve të përcaktuara, dhe si rrjedhim nuk mund të procedojnë më tej për fitimin e pronësisë së truallit.

Vjet ne miratuam në Kuvend ndryshimet përkatëse në këtë ligj dhe pastaj dalëngadalë dhe aktet nënligjore që e bënin atë operativ.

Sot po dalim përpara publikut për të lajmëruar hapjen e afatit të ri për paraqitjen nga ana e qytetarëve të kërkesave për blerjen e truallit, që do të mundësonte më pas edhe regjistrimin pranë ZRPP të pronës së tyre sit ë ligjshme.

Po jap këtu edhe disa statistika për gjëndjen e kësaj mase qytetarësh.

Nga evidentimi faktik, rezulton që deri tani të kenë aplikuar 91 subjekte me rreth 1200 apartamente që përfshihen në këtë kategori.

Por nga ana tjetër, janë edhe disa qindra subjekte, me rreth 4 deri në 5 mijë apartamente të ndërtuara dhe të shitura qytetarëve, të cilët nuk mund t’i regjistrojnë këto prona, sepse nuk kanë mundur t’i deklarojnë sipas ligjit të vitit 2009.

Këto apartmente gjenden të ndërtuara kryesish në zonat e Velipojës, të Gjirit të Lalzit, dhe pjesa masive në plazhet e Golemit dhe të Malit të Robit.

Pikërisht për t’i hapur rrugë zgjidhjes së problemit të kësaj mase qytetarësh, po rihapim edhe procesin e deklarimeve të tyre.

Pra e thënë qartë, Të gjithë qytetarët që kanë blerë në bregdet apartamente nga subjekte ndërtues të cilët nuk kanë pronësi mbi truallin, të paraqiten pranë zyrave tona, për të aplikuar për këtë qëllim.

Deklarimi do të jetë i mundur në një afat prej 60 ditësh, prej ditës së hënë dt. 23 shkurt deri më 24 prill 2015.

Informacione të detajuara të procedurës së aplikimit dhe dokumentacionit të nevojshëm, do ti gjeni nga dita e nesërme të publikuara në faqen zyrtare të ALUZNI-t, në faqen tonë në FB, në faqen zyrtare të AKT dhe nëpër organet e medias së shkruar.

Ju faleminderit,

DREJTORI I PERGJITHSHEM

ARTAN LAME

Read More

Deklaratë për shtyp: “Mbi likuidimin dhe trajtimin financiar të qytetarëve që preken nga projekti “Lidhja e Rrugës Transballkanike me superstradën Fier – Vlorë”

 

logo_e_re_fb

Ministria e Zhvillimit Urban sqaron opinionin publik dhe qytetarët e interesuar në lidhje me procedurat e shpronësimit dhe trajtimit me qira të familjeve që preken nga projekti “Lidhja e Rrugës Transballkanike me superstradën Fier – Vlorë”

Procedurat për likuidimin financiar të këtyre familjeve kanë filluar dhe nga Ministria e Zhvillimit Urban po ndiqet me prioritet përfundimi i procesit të likuidimit financiar të familjeve që preken nga realizimi i këtij projekti.

Sipas vendimeve përkatëse të Këshillit të Ministrave, të bëra publike edhe më parë, janë 72 familje që do të trajtohen nga fondi i shpronësimit dhe 40 familje që do trajtohen me qira për 2 vjet.

Fondi i shpronësimit prej 582,942,635.82  lekë dhe fondi prej 12. milion lekë për qiratë është efektiv dhe në dispozicion për likuidimin e  këtyre familje.

-Grupi i qytetarëve pronarë të objekteve dhe të truallit, të cilët dëmshpërblehen:
Deri më sot, nga lista e 72 familjeve që janë trajtuar me shpronësim janë likuiduar 3 familje, të cilët kanë adresuar dokumentacionin përkatës dhe në llogarinë e tyre bankare ka kaluar shuma. Familjet si më poshtë:

1. Flamur Halit Hoxha

2. Metlli Emin Shehu

3. Thabit Shuaip Shuaipi

 

Brenda ditës së nesërme do likuidohen dhe do kalojë në llogarinë e tyre bankare, shuma për  9 familje të tjera, si më poshtë:

  1. Dashamir Enver Rrapushi
  2. Pellumb Haxhi Lule
  3. Agim Emin Shehu
  4. Et’hem Qazim Driza
  5. Zaçe Selam Sejdi
  6. Xhelal Maksut Mezani
  7. Lutfi Ali Shuaipi
  8. Edmond Seit Bregu
  9. Nadire/Fatjon Bego Bataj

 

-Grupi i qytetarëve që posedojnë ndërtime pa leje dhe përfitojnë  pagesat e qirasë për dy vjet.

Deri më sot nga lista prej 40 familje që përfitojnë qira prej 2 vjet nga shteti, janë likuiduar  8  familje si më poshtë:

  1. Remzi Kasaj
  2. Kastriot Bejaj
  3. Halo Kamberaj
  4. Sami Duraj
  5. Kristofor Begaj
  6. David Kamberaj
  7. Arsen Qamili
  8. Myslym Lamaj.

 

Gjithashtu janë në proces dhe 4 familje që do të likuidohen në ditët në vazhdim.

Ministria e Zhvillimit Urban , institucionet e varësisë dhe institucionet e tjera në nivel qëndror dhe vendor po ndjekin me përparësi këtë proces dhe ftojnë qytetarët të bashkëpunojnë.

Për të përfunduar këtë procedurë është e domosdoshme që qytetarët të paraqiten pranë institucioneve përkatëse. Për të përfituar nga fondi i shpronësimit, të adresojnë dokumentacionin pranë bashkisë Vlorë. Ndërsa për tërheqjen e qirasë, ftohen familjet që preken nga zbatimi i këtij projekti madhor, të paraqesin dokumentat pranë EKB dega Vlorë.

Read More

Ministrja Eglantina Gjermeni mbi likujdimin dhe trajtimin financiar të qytetarëve që preken nga projekti “Lidhja e rrugës Transballkanike me superstradën Fier – Vlorë”

 

eglantina

Jam sot para jush, për të njoftuar publikisht, mbi procedurat që do të ndiqen, për likujdimin e pronarëve që preken nga realizimi i projektit “Lidhja e rrugës Transballkanike me superstradën Fier-Vlorë”.

Nga zbatimi i këtij projekti, do të trajtohen financiarisht, dy grupe qytetarësh.

Grupi i parë, janë qytetarët pronarë të objekteve dhe të truallit, të cilët do të dëmshpërblehen, duke ndjekur procedurat e shpronësimit për interes publik, në bazë të dokumentave të pronësisë për objekt dhe truall.

Ky grup qytetarësh, do të trajtohet, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministave nr. 54 datë  21.01.2015 “Për shpronësimin për interes publik të pasurive pronë private nga realizimi i projektit lidhja e rrugës Transballkanike me superstradën Fier-Vlorë”, duhet të paraqiten, pranë Bashkisë Vlorë me dokumentacionin si vijon:

  1. Certifikatën origjinale të pronësisë së objektit apo truallit
  2. Kartelën e Pasurisë të lëshuar brenda 72 orëve nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Vlorë
  3. Hartën treguese të pasurisë
  4. Numrin e llogarisë bankare
  5. Dokument identifikimi (pashaportë ose kartë identiteti)

Pas plotësimit të dokumentacionit, do të procedohet direkt, me derdhjen nga Dega e Thesarit, në llogarinë bankare të secilit përfitues, të shumës së miratuar, në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 54 datë 21 Janar, 2015, të sipër cituar.

Grupi i dytë, janë familjet që posedojnë ndërtime pa leje, me funksion banimi, të cilat preken nga zbatimi i këtij projekti madhor.

Ky grup qytetarësh, do të trajtohen, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.  58 datë 21.1.2015  “Për trajtimin e disa familjeve që preken nga zbatimi i projektit ‘Lidhja e Rrugës Transballkanike me superstradën Fier – Vlorë’ me programe sociale të strehimit”.

Këta qytetarë, do të  përfitojnë, pagesat e qirasë për dy vjet, ndërkohë për vitin 2015, do të marrin menjëherë pagesën e plotë, të qirasë për 11 muaj Shkurt – Dhjetor 2015.

Enti Kombëtar i Banesave ka hapur një llogari të veçantë pranë Bankës Kombëtare Tregtare – Dega Vlorë, për të mundësuar tërheqjen e pagesës së qirasë nga qytetarët.

Të gjithë qytetarët, të cilët do të përfitojnë nga ky fond, duhet të paraqiten pranë zyrave të Entit Kombëtar të Banesave Vlorë (që ndodhen në mjediset e prefekturës) dhe të dorëzojnë dokumentacionin si më poshtë:

  1. Dokument identifikimi (pashaportë ose kartë identiteti)
  2. Çertifikatë familjare

Punonjësit e Entit të Banesave, bazuar në strukturën familjare dhe normat e strehimit në fuqi, do të përcaktojnë tipin dhe sipërfaqen e banesës, që përfiton familja dhe shumën e qirasë mujore.

Pas plotësimit të dokumentacionit, Enti Kombëtar i Banesave, Dega Vlorë, do ta pajisë qytetarin me një dokument që mundëson, tërheqjen e menjëhershme të shumës, pranë Bankës Kombëtare Tregtare, Vlorë.

Zyra e Entit Kombëtar të Banesave, Dega Vlorë është në dispozicion të plotë për çdo informacion dhe sqarime të mëtejshme për qytetarët që përfitojnë qira.

Për më tepër, të gjithë qytetarët që do të trajtohen me qira, dhe,  kanë paguar prej vitesh detyrimet financiare për legalizim, në vitet 2009-2010, të paraqiten pranë Drejtorisë së ALUIZNI-t Vlorë, për të filluar tashmë, procedurat për rikthimin e shumës së paguar.

Të gjithë këta qytetarë, përgjatë gjithë këtyre viteve, u braktisën pa asnjë përgjigje, nga qeveria e mëparshme, e cila nuk ndërmori asnjë hap për ti legalizuar.

Ministria që unë drejtoj, Institucionet e varësisë së saj dhe strukturat e tjera shtetërore, po ndjekin me prioritet këto procedura, si ato për dëmshpërblimin e pronarëve nga shpronësimi, ashtu edhe për trajtimin financiar të familjeve që preken nga zbatimi, i këtij projekti madhor, me interes publik.

Ju faleminderit.

Read More