MZHU finalizon botimin e standardeve për projektimin e banesave shkollave, kopshteve dhe çerdheve.

foto_2Ministria e Zhvillimit Urban në finalizim të një pune 4 vjeçare sjell kolanën e botimeve të standardeve për projektimin e banesave, shkollave, kopshteve dhe çerdheve.

Në hyrje të 4 botimeve, Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni thekson se:

“Standardet në projektim dhe ndërtim i shërbejnë një zhvillimi të qëndrueshëm në sektorin e ndërtimit.

Nisur nga fakti që standardet e ndërtimit ishin hartuar 30 vite më parë, u angazhuam maksimalisht për të sjellë në vend standardet më të mira bashkëkohore.

Puna jonë nisi me rishikimin e standardeve për projektimin e banesave, shkollave, kopshteve dhe çerdheve.

Pas një pune katër vjeçare të stafit të Ministrisë së Zhvillimit Urban, sjellim në formatin e një kolane botimesh: “Standardet për projektimin e banesave”, “Standardet për projektimin e shkollave”, “Standardet për projektimin e kopshteve” dhe “Standardet për projektimin e çerdheve”.

Standardet e rishikuara do të garantojnë qëndrueshmërinë e ndërtimit, sigurinë dhe cilësinë e jetës dhe do te shërbejnë si udhërrëfyes për të gjithë projektuesit, ndërtuesit, investitorët, por dhe për vetë qytetarët.

Këto botime janë dëshmi e punës dhe përkushtimit të stafit të Ministrisë së Zhvillimit Urban në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e tjera, shoqatat e ndërtuesve dhe projektuesve, ekspertë të fushës, për të përafruar sa më pranë standardet tona të ndërtimit me ato ndërkombëtare.

Standardet për projektimin e banesave, kanë për qëllim të dimensionojnë hapësirën e domosdoshme për aktivitetin jetësor në banesa, si edhe të garantojë sigurinë dhe cilësinë e jetës për qytetarët.

Standardet për projektimin e çerdheve, kanë për qëllim të sigurojnë shëndetin, mirëqenien, sigurinë dhe zhvillimin optimal të grupmoshës       0 – 3 vjeç.

Standardet për projektimin e kopshteve, kanë për qëllim të sigurojnë funksionalitetin e mjediseve të destinuara për nevojat e një grupmoshe me kërkesa specifike, duke mos anashkaluar kërkesat për sigurinë dhe shëndetin e tyre.

Standardet për projektimin e shkollave, sjellin një përcaktim të qartë të normave dhe kushteve minimale që sigurojnë zhvillimin në nivele të larta të proceseve mësimore, nëpërmjet organizimit optimal të hapësirave kryesore ambienteve dhe  infrastrukturës ndihmëse.

 

Standardet në projektim dhe ndërtim vijnë për herë të parë në një format më të kuptueshëm për projektuesit, ndërtuesit si dhe qytetarët.  Formati elektronik i botimeve për standardet, gjenden edhe në faqen zyrtare të ministrisë.

 

Unë jam e sigurtë se, puna e kryer ka ofruar një produkt të nevojshëm që do t’u vijë në ndihmë të gjithë të interesuarve në sektorin e ndërtimit.

 

Dua të falënderoj ekipin e përfshirë në këtë proces serioz, i cili do të vijojë me rishikimin e standardeve në projektim dhe ndërtim për spitalet, qendrat shëndetësore, kulturore, tregtare e industriale, hotelet etj. “

Ministër i Zhvillimit Urban

Eglantina GJERMENI