Godinat jashtë funksionit, MZHU nis rikonstruksionin për strehimin e familjeve në nevojë.

big_njqv_1Ministria e Zhvillimit Urban ndërmerr për herë të parë nismën për rehabilitimin e objekteve në pronësi të Njësive të Qeverisjes Vendore dhe kthimin e tyre në banesa me qëllim strehimin e shtresave në nevojë.

Programi,  i financuar me fondet e MZHU me buxhetin e vitit 2017 ka nisur fillimisht të zbatohet në 4 bashki, ku përfitojnë 34 familje.

Janë 62,355,230 lekë që do të përdoren për rikonstruksionin e objekte të vjetra në pronësi të bashkive: Kuçovë, Malësi e Madhe, Patos dhe Lushnje në funksion të strehimit social.

Kështu, në bashkinë Kuçovë, 12 familje do të kenë banesat e tyre pas rikonstruksionit të ish-godinës së ofiçinës së riparimit të mjeteve të rënda dhe magazinës së rikuperove pranë parkut të naftës, me vlerë 26,150,740 lekë.

Në Malësi të Madhe së shpejti nis puna për ndërtimin e banesës sociale në Tamarë, me vlerë 9,440,550 lekë, ku do të strehohen 5 familje.

Ndërkohë, 12 familje në Patos, do të përfitojnë nga zbatimi i projektit për adoptimin e ish kopshtit te Lagja e Re në banesa sociale, me vlerë 20,438,740 lekë.

Sa i takon bashkisë Lushnje, ajo është përfituese e projektit të rehabilitimit të objektit hangar në pronësi të bashkisë dhe kthimi në banesa sociale, me vlerë 6,325,200 lekë. Përfitues nga rikonstruksioni i këtij projekti, janë 5 familje.

Në shkallë vendi janë 135 familje në nevojë të cilat do të përfitojnë nga programi, “Për rehabilitimin e objekteve në pronësi të Njësive të Qeverisjes Vendore dhe kthimin e tyre në banesa me qëllim strehimin e shtresave në nevojë”, me një fond të përgjithshëm prej 140 milion lekësh. Projektet që do të prekin banesat, sipas kërkesave dhe informacioneve që do të paraqesin vetë bashkitë, konsistojnë në riparime të përgjithshme, zëvendësim i dyer/dritareve, rikonstruksion i çative të dëmtuara, suvatime dhe lyerje të banesave për t’i bërë ato funksionale për familjet në nevojë.