Intervista e Ministres Gjermeni për Vizion Plus

big_vizioni-4Znj. Gjermeni, si e konsideroni procesin e legalizimit në 4 vite?

  •  Mendoj që për legalizimet, siç ishte angazhimi ynë për  2013, që brenda mandatit të parë duhet të përfundonim legalizimet në zonat informale, ia dolëm mbanë me sukses. Kjo falë së përgjegjshme dhe me mjaft impenjim dhe përkushtim, të punonjësve të ALUIZNI-t. Më vjen shumë mirë të them se numri i legalizimeve, sot që flasim është rreth 140 mijë, krahasuar me 21 apo 22 mijë që ka bërë qeveria e mëparshme, në tetë vite. Pra, arritëm  që brenda mandatit të parë qeverisës. ta pesëfishonim numrin e legalizimeve, duke mbajtur në konsideratë faktin që, afati kohor është relativisht i shkurtër, pasi në vitin e parë na u desh që të sistemonim dokumentacionin e gjetur dhe për më tepër të ndryshonim ligjin ekzistues dhe të bënim ligjin e ri për legalizime falas.

 

  • Ka qenë angazhimi i madh i Qeverisë Rama dhe e theksoj që, mbi 90 %  të legalizimeve që kemi kryer, janë realisht banesa për qytetarët, krahasuar me faktin që me qeverisjen e mëparshme shumica e objekteve të legalizuara ishin bare, restorante apo objekte biznesi, ndërkohë që ne jemi fokusuar kryesisht tek legalizimi i banesave për qytetarët.  Më vjen shumë mirë të them që kemi arritur një objektiv apo angazhim që kishim marrë përsipër dhe pikërisht për të trajtuar nevojat specifike të qytetarëve për shkak të komplektitetit që ka ky proces, legalizimi në vetvete dhe për shkak të kaosit apo të ndërtimeve të gjithfarë llojesh që janë bërë gjithë këto vite tranzicioni na është dashur të ndryshojmë 4 ligje përgatitur rreth 24 vendime të Këshillit të Ministrave, pikërisht për të adresuar këtë kompleksitet të procesit të legalizimit, nevojave specifike që kanë qytetarët dhe për ta lehtësuar apo realizuar me sukses atë.

Ku do të jetë fokusi?

  •  Realisht unë theksova që, procesi i legalizimit ishte angazhimi i parë që do të bëhej, kryesisht në zona informale, do të vazhdojë procesi i legalizimit, brenda mandatit të dytë qeverisës, për ta zgjidhur njëherë e mirë këtë çështje, për ta përfunduar këtë proces, ndërkohë që do të punohet paralelisht me legalizimin dhe urbanizimin e zonave informale, si një angazhim tjetër i Qeverisë Rama, duke dashur që në zonat informale të krijohet infrasturktura e duhur dhe të bëhen sa më urbane, për ta kurorëzuar me sukses dhe këto përpjekje për urbanizimin e zonave informale kanë filluar që në mandatin e parë, duke harmonizuar këto dy procese, legalizim dhe urbanizim, ndërkohë që, dua të theksoj se një nga angazhimet tona është edhe zgjidhja njëherë e mirë e ngërçeve apo problematikave që kemi patur me hipotekat. Është e vërtetë që ne kemi bërë një numër të madh legalizimesh, ndërkohë që një pjesë e tyre, nuk kanë marrë tapi nga hipotekat dhe them që ka pasur ngërçe, vështirësi, mungesë të koordinimit apo mospërputhje hartash nga dy institucione, ALUIZNI dhe Hipoteka dhe në këto kushte mendoj që, njëherë e mirë  angazhimi i Kryeministrit Rama, për mandatin e dytë qeverisës, është që të zgjidhen dhe të mirë-koordinohen këto çështje të pronave, duke bashkërenduar punën dhe duke ngritur një institucion të vetëm që qytetarët të mos kenë probleme sorollatjeje dhe vështirësi nga njëra zyrë në tjetrën, por në momentin që merr certifikatën e legalizimit, sërish institucioni që do të krijohet të zgjidhë njëherë e mirë dhe çështjen e tapisë, pra çështjen e hipotekës së pronës, duke ia dhënë dokumentin në dorë qytetarit. ky do të jetë një angazhim madhor dhe them se do të jetë një arritje e padiskutueshme për mandatin e dytë qeverisës.

Nëse flasim për legalizimin e shtesave në pallate, si do të vijojë procesi?

  •  Për sa i përket çështjes së shtesave të pallateve, ne kemi miratuar një Vendim të Këshillit të Ministrave për t’i trajtuar ato dhe për t’i legalizuar falas, për qytetarët. Ky është një proces me disa hapa, i cili ka filluar që në këtë mandat të parë qeverisës dhe është kërkuar nga subjektet ndërtuese,  të cilët kërkojnë ndihmën për legalizimin dhe nëse këto subjekte nuk janë të interesuar brenda një afati të caktuar kohor, qytetarët do të kërkojnë këtë legalizim falas dhe do të ndihmohen nga zyrat e ALUIZNI-t. Ky është një proces që ka filluar këtë mandat dhe do të vazhdojë edhe në mandatin tjetër qeverisës. ALUIZNI nuk e ka ndërprerë punën për sa i përket mbledhjes së dokumentacionit, bërjes së matjeve dhe kryerjes së legalizimit për shtesat e pallateve.

Kur do të jetë koha kur të 61 bashkitë do të kenë secila nga një plan rregulluese, plan i cili do të na tregojë të ardhmen e këtyre qyteteve kur do të zhvillohen, kur do të jetë ky afat, pasi është folur shumë për këtë çështje?

  •  Është folur dhe është bërë shumë, për sa i përket planeve të përgjithshme vendore. Unë dua të theksoj se, që me krijimin e Ministrisë së Zhvillimit Urban, nisma e parë ka qenë për hartimin e një plani të përgjithshëm kombëtar të territorit, Shqipëria 2030, duke dashur që vërtetë plani i zhvillimit të Shqipërisë të jetë afatgjatë, një zhvillim i qëndrueshëm, vizionar, që dha piketat kryesore, mbi të cilat po realizohen edhe planet e përgjithshme vendore. Filluam punën me 26 bashki, duke i mbështetur me fondet e Qeverisë Rama, për të hartuar planet e përgjithshme vendore, ndërkohë, me ndihmën e USAID, 5 bashki të tjera janë mbështetur për të hartuar planet e tyre të përgjithshme vendore, plane të cilat janë miratuar në Këshillin Kombëtar të Territorit, 5 bashki  të tjera po mbështeten nga Organizata për Qeverisjen Vendore dhe Organizata Zvicerane dhe e përfundojnë këtë proces brenda këtij viti. Me fondet e Ministrisë së Zhvillimit Urban, 7 bashki mbështeten këtë vit për hartimin dhe miratimin e planit të përgjithshëm vendor të tyre. them që janë 43 bashki të cilat po mbështeten nga Qeveria Shqiptare dhe donatorët, brenda këtij viti për të përfunduar procesin e hartimit të planeve të përgjithshme vendore, ndërkohë një bashki, ajo e Dropullit, u mbështet nga universiteti Polis.         Në total, 44 bashki, brenda vitit, pretendojmë që t’i ketë të hartuara planet e tyre të përgjithshme vendore. Për vitin tjetër, Ministria e Zhvillimit Urban ka parashikuar fonde për 17 bashki të tjera dhe pretendojmë që, brenda vitit që vjen, të 61 bashkitë (bashkitë e reja), të krijuara mbas reformës territoriale administrative të kenë planet e përgjithshme vendore, të cilat janë platforma zhvillimi për këto bashki të reja, të cilat japin piketat e zhvillimit për 15 vitet e ardhshme, janë një dokument i cili parashikon  mënyrën sesi do të zhvillohen bashki, zona rurale dhe urbane, janë një garanci më shumë për investitorët vendas dhe të huaj, pa dyshim lehtësojnë edhe procesin e lejeve të ndërtimit, janë dokumente fleksibël të cilat mund të ndryshojmë dhe të rishikohen në periudha periodike, por ama drejtimet kryesore të zhvillimit të bashkive, në varësi të potencialeve që ato kanë, janë pikërisht këto dokumente që hartohen nga bashkitë, me ndihmën e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe në të njëjtën kohë, janë dokumente të cilat i paraprijnë zhvillimit. Për mua, si Ministre, ky proces është historik, pasi për herë të parë bashkitë do të kenë planet e tyre të përgjithshme vendore duke i dhënë fund zhvillimit kaotik dhe spontan të territorit, por i paraprihet një zhvillimi të qëndrueshëm të planifikuar të territorit. Kjo është një përqasje e cila ka rezultuar e suksesshme në të gjithë botën në qoftë se vërtetë zhvillimi bëhet në mënyrë të planifikuar.

Dhe meqenëse folëm për çështjen  e  zhvillimit të qëndrueshëm dhe jo kaotik, këto katër vite pamë të implementohej projekti i rilindjes urbane që u fokusua në qendra qytetesh. Në këtë 4 vjeçar të ri qeverisës, cila do të jetë risia e këtij projekti, çfarë shtrirjesh do të marrë rilindja urbane, apo do të vazhdojë me qendrat e qyteteve?

  •  Programi i Rilindjes Urbane është një nga programet e suksesshme të Qeverisë Rama, duke i ndryshuar fizionominë të gjitha bashkive, nga veriu në jug. ka dyfishuar vlerën e pronës në bashkitë që është ndërhyrë, ka ndikuar në rritjen dhe nxitjen e sipërmarrjes, padyshim ka ndryshuar në fizionominë  e qyteteve duke i bërë ato më atraktive, duke rritur edhe numrin e turistëve të huaj dhe vendas dhe ka krijuar edhe mundësi punësimi. Pra rëndësia e këtij programi ka qenë disa fish, duke dashur që impakti, ai kryesori për të përmirësuar cilësinë e jetesës së qytetarëve. Në mandatin e dytë angazhimi i Qeverisë Rama është që, kjo rilindje urbane të vazhdojë dhe të transferohet me fokus, kryesisht në zonat rurale.

Dhe dua të theksoj që edhe brenda këtij mandati të parë qeverisës, sigurisht që filluam me qendrat e qyteteve si nxitës apo promotorë të zhvillimit, por u vazhduar edhe me hapësira rurale apo me projekte strategjike që nxisin zhvillimin ekonomik, social dhe punësimin në bashki të ndryshme. Shumëllojshmëria e projekteve të Rilindjes Urbane është mjaft e gjerë duke filluar me qendrat e qyteteve, hapësiratpublike, parqet, pa dyshim rrugë rurale dhe urbane, duke ngushtuar diferencat e qyteteve, atraksionet turistike, rehabilitimin e zonave të gjelbra, projektet e infrastrukturës urbane, projektet e zhvillimit të infrastrukturës turistik, projekte të përmirësimit të zonave të biznesit, tre projekte pilot për urbanizimin e zonave informale dhe sigurisht ka pasur edhe projekte specifike për rrugë bujqësore, për të nxitur fermerët për të çuar produktet në treg ose për të importuar. Pra, larmishmëria ka qenë mjaft e gjerë, ndërkohë që thuajse të 61 bashkitë kanë përfituar për qendrat e qyteteve edhe projekte specifike, sipas planit që ato kanë pasur dhe nga ana tjetër këtë mandat jemi të angazhuar që projekti do të vazhdojë edhe në zonat rurale, duke ngushtuar diferencat e hapësirave rurale me ato urbane, ndërkohë që do të fokusohemi në projektet ndër-vendore, projekte rajonale dhe si të tilla bëhen në më shumë se dy bashki, duke theksuar një zhvillim apo një përqasje të re të zhvillimit rajonal në Shqipëri, për të pasur një promotor më shumë për sa i përket zhvillimit ekonomik dhe social në këto zona. Them që rilindja urbane rezultoi një program i suksesshëm dhe fakti që qytetarët në të gjitha takimet më kërkojnë transferimin nga qendrat e qyteteve në periferi të tyre dhe në zonat rurale, kjo tregon vërtetë që impakti i këtij programi ka qenë vërtetë i madh. Dua të theksoj që në disa bashki është filluar tashmë puna për projekte në komunitet apo në lagje, nga qendra në periferi, duke dashur që rilindja urbane të prekë të gjitha hapësirat e qyteteve. Elbasani është një nga këto bashki, Gramshi, Lushnja gjithashtu. Pra ka mjaft bashki të cilat e kanë vazhduar fokusin, kanë filluar me rilindjen dhe kanë vazhduar më tej.

Për intervistën Kliko Këtu